Prodhuesi suedez i automjeteve Volvo, që tashmë është në pronësi kineze, do tërheqë 2.2 milionë automjete në të gjithë botën për shqetësimet se rripat e sigurimit mund të jenë më pak efektivë me kalimin e kohës. Kjo tërheqje është më e madhja ndonjëherë për kompaninë e njohur.
Zëdhënësi i shtypit i kompanisë, Stefan Elfstrom, tha për mediat suedeze se zbuloi problemin ‘e rrallë’ me rripat e sigurimit në disa nga makinat e tij.
Prodhuesi i automjeteve beson se një kabllo çeliku e lidhur me rripat e sigurimit mund të dobësohet në kushte të caktuara. Kablloja përfundimisht mund të dëmtohet, duke çuar në ‘funksion të zvogëluar të frenimit të rripit të sigurimit’.
Volvo thotë se e meta nuk ka rezultuar në ndonjë aksident ose lëndim, duke shtuar se masa është parandaluese.
Masa do të prekë makinat që bëjnë pjesë në linjën e prodhimit nga 2006-19, duke përfshirë disa nga modelet më të shitura të kompanisë, siç është XC60.
Modelet e mëparshme, Volvo S60, V60, V70, XC70 dhe S80, gjithashtu janë përfshirë në listë, ndërsa gjenerata e re e makinave është kursyer nga tërheqja masive.
‘Volvo Cars’ u ble nga ‘Geely’ e Kinës në vitin 2010.