Vendosni fjalën kyçe....

Atalanta mposht Napolin dhe çimenton vendin e Champions-it


Atalanta vijon të dhurojë performanca spektakolare, teksa mbrëmjen e sotme ka fituar ndeshjen e katërt në po kaq të luajtura që prej rifillimit të kampionatit, duke blinduar vendin e katërt që të çon në Ligën e Kampionëve.

Zikaltrit e drejtuar nga Gian Piero Gasperini kthyen me këmbë në tokë Napolin, të cilin e mposhtën me rezultatin 2-0 në “Gewiss Stadium” të Bergamos, teksa të dy golat e ndeshjes u shënuan në pjesën e dytë.

Sfida ishte e balancuar, me Napolin që pati një epërsi të lehtë në kontrollin e topit, ndërsa Atalanta zbriste rrezikshëm në kundërsulm, duke vënë në vështirësi prapavijën e skuadrës së Gattusos.

Pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola, ndërsa përveç rasteve të pakta, vlen të përmendet edhe dëmtimi i rëndë i portierit kolumbian Ospina, i cili la fushën me barelë, për t’u zëvendësuar nga italiani Meret.

Në fillim të pjesës së dytë Pasalic u harrua i vetëm në zonë dhe mori një krosim perfekt nga kapiteni Gomez, ndërsa me kokë nuk e pati të vështirë të thyejë portierin Meret dhe t’i japë avantazhin Atalantës.

Vetëm pak minuta më vonë, pas një aksioni sërish nga krahu i djathtë i sulmit, Atalanta gjeti edhe golin e dytë, këtë herë me Robin Gosens, i cili u gjend në vendin e duhur dhe mposhti Meret me një diagonale perfekte.

Me këtë fitore Atalanta u ngjit në kuotën e 60 pikëve, vetëm 4 më pak se Interi që mban vendin e tretë, por plot 12 më tepër se Roma që pozicionohet poshtë saj, në vendin e pestë të renditjes.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *