Vendosni fjalën kyçe....

Babai i Boris Johnson-it udhëton në Greqi, duke shkelur rregullat e qeverisë së djalit të tij


Babai i kryeministrit britanik ka shkuar në Greqi, duke shkelur në mënyrë flagrante këshillat e qeverisë për udhëtimet.

Mediat britanike shkruajnë se Stanley Johnson fluturoi drejt Greqisë, pavarësisht se Zyra e Jashtme i këshillon britanikët të mos shkojnë jashtë vendit, përveçse nëse duhet.

79-vjeçari mbërriti në Athinë parmbrëmë për të vizituar vilën e tij malore. Ai u mburr për udhëtimin përmes postimeve në “Instagram” ku tregonte aeroplanin e tij që po vinte në Athinë.

Babai i Boris Johnson-it kishte fluturuar përmes kryeqytetit bullgar Sofjes sepse qeveria greke i ka ndaluar fluturimet direkte nga Britania e Madhe deri në mes të korrikut.

Duke folur mbrëmë nga ballkoni i vilës së tij në veri të Greqisë, Johnson tha: “Unë jam në Pelion për qëllime biznesi, duke u përpjekur të mbroj pronën time nga Covid për shkak të sezonit të ardhshëm të dhënies me qira. Unë kam nevojë të vendos masa distancuese në pronë, sepse ata po i marrin shumë seriozisht këtu. Grekët janë duke u përpjekur të ndalojnë ardhjen me shumicë nga Britania e Madhe, por ata ishin shumë të lumtur që më kishin brenda.”

Udhëtimi i Johnsonit tregon se mund të jetë e mundur të udhëtosh përmes një vendi të tretë, nëse udhëtimet direkte janë të ndaluara si në këtë rast.

Zyra e Jashtme thotë se ka mundësi të kufizuara udhëtimi midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Greqisë dhe nuk ka fluturime direkte.

Të martën, Greqia njoftoi se po zgjaste ndalimin e saj për fluturimet me Mbretërinë e Bashkuar deri më 15 korrik. Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis tha se masat do të mbahen nën rishikim të vazhdueshëm.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *