Kreu i Partisë Demokratike ka denoncuar sipas tij dhënien e territoreve të bazës ushtarake detare në Sarandë klientëve të qeverisë.
Teksa ndodhej në Divjakë për t’u takuar me qytetarët e biznesmenë të zonës, Basha tha nëpërmjet një videomesazhi se territori i bazës po bëhet gati t’u jepet oligarkëve të qeverisë.
Ai u bëri thirrje autoriteteve e presidentit që të hetojnë e të ndalojnë këtë veprim të qeverisë.
“Në sekret të plotë sipas informacioneve që disponojmë është marrë një pjesë e territorit të bazës ushtarake navale të marinës, të flotës ushtaraka detare në Sarandë dhe është bërë gati t’i jepet klientëve të qeverisë. Mbetet të verifikohet se kujt do i jepet por emrat që përmenden janë të dyshuarit e zakonshëm.
Pjesë e pesëshes apo gjashtëshes që marrin çdo gjë në këtë vend. Shpresoj të jetë një lajm i rremë në radhë të parë sepse largimi i territoreve nga forcat e armatosura, nuk mund të bëhet në mënyrë sekrete, por transparente se cënon sigurinë kombëtare.
U bëj apel të gjitha institucioneve të sigurisë kombëtare, nga ato ekzekutive deri te komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura të investigojnë nëse është e vërtetë që në ditët e tyre të fundit po falin bazat detare oligarkëve për zhvillime klienteliste pa garë.
Ne nuk jemi kundër zhvillimit, zhvillimi ekonomik që sjell mirëqenie është objektivi i qeverisjes sonë, por kjo nuk mund të jetë fitimprurëse deri nuk bëhet transparente.” – tha në denoncimin e tij Basha i cili ishte ditën e sotme në Divjakë.