Vendosni fjalën kyçe....

KPA shkarkon nga detyra prokurorin Artan Bajrami


Shkarkohet përfundimisht prokurori Artan Bajrami. Sot Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka lënë në fuqi vendimin e KPK-së për prokurorin Bajrami, duke vendosur shkarkimin e tij nga detyra.

Kjo për shkak se ai ka paraqitur probleme me deklarimin e pasurisë.

Bajrami ka qenë drejtues i Prokurorisë së Apelit për Krime të Rënda prej 15 vitesh dhe analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Sipas KPK-së, prokurori në fjalë ka pasaktësi në pagesën për blerjen e një apartamenti. Kjo sepse ka mospërputhje për një këst 1.5 milionë lekë për një apartament në Tiranë.

Njoftimi i KPA-së:

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Rezarta Schuetz kryesuese, Ardian Hajdari relator, Ina Rama, Luan Daci, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.20/2019, datë 18.04.2019, që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Artan Bajrami, kundër vendimit nr. 107, datë 14.02.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me shumicë votash, vendosi:

Lënien në fuqi të vendimit nr. 107, datë 14.02.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Artan Bajrami.

Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

U shpall sot, në Tiranë, më datë 03.07.2020.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *