Vendosni fjalën kyçe....

Lleshaj ka disa këshilla për të rinjtë: Punoni me nder, rruga e shkurtër e pasurimit kriminal nuk vlen


Ministri i Punëve të Brendshme, Sandër Lleshaj, sot ka disa këshilla për të rinjtë shqiptarë. Ai u kërkon atyre të punojnë me nder dhe të mos zgjedhin rrugën e shkurtër për të arritur suksesin, pasi sipas tij në këtë rrugë nuk ka asnjë sukses të sigurt.

Lleshaj thotë se është vetëm çështje kohe deri kur dikush të trokasë dhe të kërkojë llogari për çdo qindarkë, ndërsa u bën thirrje të gjithëve të përcjellin këtë mesazh: politikës, medias, shoqërisë, shkollës, familjes.

KOMENTI I LLESHAJT
Puno me nder!
Ky është pak a shumë mesazhi drejtuar të rinjve tanë, që u përpoqa të përcjell edhe dje në Kuvendin e Shqipërisë.
Nuk është aspak çudi, që një mesazh i tillë të mos pritet mirë nga krimi. Por është çudi e madhe kur kjo thirrje bazike, sulmohet nga një media në shqip.
Është e vërtetë se edhe në Shqipëri ka krim, ka lidhje të krimit me administratën, me drejtësinë, me politikën, me mediat, me biznesin. Dhe për këtë arsye, Shqipëria lufton kundër krimit në të gjitha këto fronte me sukses të prekshëm.
Qasja e re e qeverisë shqiptare në këtë etapë të përballjes me krimin është përqendruar në luftën për shkatërrimin e modelit ekonomik të tij. Gjetja, sekuestrimi dhe konfiskimi i pronave dhe parave të gjeneruara nga krimi është rruga e duhur për të siguruar sukses afatgjatë.
Është shqetësues fakti që shumë të rinj shqiptarë kanë marrë rrugët e botës, kanë humbur nëpër to, janë përfshirë në krim dhe kanë përfunduar nëpër burgje, duke dëmtuar jo vetëm imazhin e vendit dhe perspektivën tonë, por, para së gjithash, duke shkatërruar të ardhmen e tyre. Dhe të tillë nuk janë disa qindra, por shumë më tepër.

Por….
Ky realitet mbetet disi jashtë vëmendjes së medias dhe të publikut, ndërkohë që, tek të rinj të tjerë në vend gjallojnë iluzionet e pasurimit të shpejtë në rrugën e shkurtër të krimit, të cilat ushqehen nga “modelet e suksesit kriminal” të disa personave që mund të kenë grumbulluar pasuri në këtë rrugë dhe ende nuk kanë përfunduar në burg.
Ndaj është jetike, për të ardhmen e vendit dhe të vetë rinisë tonë, që “modelet” e pasurimit të shpejtë në rrugë kriminale të shkatërrohen, jo vetëm përmes dënimit penal të autorëve, por, para së gjithash, përmes konfiskimit të çdo pasurie që krijohet në rrugë kriminale.
Vetëm konfiskimi i pasurive të krijuara në rrugë kriminale është garancia, jo vetëm për vendosjen e drejtësisë, por edhe për mbrojtjen e rinisë nga joshjet që krijojnë pasuritë kriminale, të cilat ndër vite kanë sfiduar me arrogancë punën dhe jetën e ndershme në këtë vend.
Kjo është edhe arsyeja përse qeveria po realizon përditë masa për këtë qëllim dhe kjo është arsyeja përse unë si Ministër i Brendshëm e përsëris këtë mesazh për të rinjtë e këtij vendi.
Rruga e shkurtër e pasurimit kriminal nuk vlen. Asnjë “sukses” në këtë rrugë nuk është i sigurtë. Është vetëm çështje kohe deri kur dikush të trokasë dhe të kërkojë llogari për çdo qindarkë.
E mira është që kjo thirrje të përcillet e të përsëritet nga të gjithë: politika, media, shoqëria, shkolla, familja dhe kushdo që e beson atë.
Ndërkohë që për organet ligjzbatuese mbetet detyra që të vijojnë të godasin për të dhënë përditë prova se pasuria kriminale nuk ka të ardhme.
Ndërsa ata që nuk duan të thonë as fjalën e duhur dhe as të bëjnë gjënë e duhur, duhet të paktën të mos ngatërrojnë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *