Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka deklaruar se është gati për ndryshim të sistemit zgjedhor, por jo në zgjedhjet e ardhshme.
Ndërsa ishte i ftuar në emisionin “Zonë e Lirë” të Arjan Çanit, Basha tha se së pari duhen forcuar institucionet e Kontrollit, e më pas të diskutohet për ndryshim të sistemit zgjedhor.
“Koalicionet zgjedhore janë Kushtetutë për një arsye të thjeshtë sepse Karta Europiane e të Drejtave të Njeriut parashikon si të drejtë kryesore bashkëpunimin, asociimin sepse njerëzit bashkohen për shkak të synimeve e objektivave të ngjashme.
Diskutimet për sistemin, këtu janë mbyllur më 5 qershor, për arsyen e thjshtë sepse ne si PD, besojmë se Shqipëria ka nevojë për një Reformë të thellë Kushtetuese, sot nuk jemi në rrethana ku me kundërshtatrin politik mund të diskutohet kjo temë. Mund të diskutohet pas zgjedhjeve të ardhshme. Së pari të forcojmë institucionet e Kontrollit, kam propozuar Parlament me 2 dhoma dhe unë kam propozuar sistem maxhoritas të pastër fare.
Problemi këtu nuk është sistemi. Siç thoshte Skënderbeu: ‘Nuk është Shpata, është Krahu’. Çdo sistem ka rënë pre e sëmundjeve të demokracisë shqiptare, si vjedhja e votës, cënimi o votës e të gjitha ato që ka regjistruar OSBE-ODIHR.”- deklaroi Basha.
Kryedemokrati u shpreh i bindur se kryeministri Edi Rama “nuk ka shans” që të përdorë COVID-19 për të shtyrë zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke marrë si shembull Serbinë dhe Francën, të cilat kanë zhvilluar zgjedhje këtë verë./Hashtag.al