Nga Ledian Droboniku
E kishte parashikuar Shkolla e Frankfurtit para 50 vitesh: “Privatizimi i publikes dhe publicizimi i privates!”
E keni pyetur veten pse mediat nxjerrin “hallet” personale në “pazarin” e hapësirës publike?
Kurse nga ana tjetër fshehin hallet publike? Ato që na interesojnë vërtet të gjithëve si qytetarë të Republikës.
Askush nuk e di se kush, ku e si merren vendimet që prekin jetët tona!
A nuk do ishte më mirë sikur dhe në media të kishte “forume publike” ku të diskutohej për “çështjet publike” si psh:
1. Qytetarë që diskutojnë për hapësirat publike, nëse duhet ndërtuar e çfarë duhet ndërtuar, çfarë nevojash imediate ka qyteti, prioritete ku duhet të shkojnë taksat dhe shërbimi publik, çështje të natyrës dhe mbrojtjes së ambientit.
2. Qytetarë që diskutojnë për problemet e sigurisë ushqimore, modelin e shëndetësisë që duan, nivelin e tarifave të shkollës, nivelin e papunësisë e nivelin e rrogave.
3. Qytetarë që diskutojnë për Bashkimin Kombëtar, për kushtet që na ka vënë BE-ja, nëse duhet të marrim borxh të huaj, nëse duhet të ndryshohet Kushtetuta, nëse lideri apo populli duhet të zgjedhë deputetët, presidentin, avokatin e popullit etj.
Teknologjia e sotme do mundësonte shtimin e forumeve qytetare, duke nxitur pasionin civil dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në ResPublica (të mirën e përbashkët). Jo vetëm diskutimin por dhe vendimmarrjen dhe për gjërat, e jo vetëm emrat e fytyrat!
Duke forcuar e zgjeruar demokracinë (pushtetin e popullit).
Po atëherë pse kjo nuk ndodh?
Madje ndodh krejt e kundërta!
Sepse jetojmë në një regjim që në pamje duket i “lirë” por në thelb është totalitar!
Një sistem që bën të kundërtën e asaj çfarë propagandon: Neoliberizmi
Një sistem antidemokratik e elitist!
Një sistem që përqendron pasurinë e pushtetin tek 1%shi!
Një ideologji që justifikon këtë padrejtësi, që masturbon e zbavit turmat me banalitete e vendimet e rëndësishme ia lë një oligarkie pa kontroll e pa trasparencë.
Ja pse “çuditërisht” importohen e promovohen vetëm ato modele që përkulin popullin në injorancë e mjerim!
Sepse neoliberizmi çmonton çdo vlerë komunitare e promovon antivlerat individuale, pjesën më primitive e instiktet kafshërore të njeriut.
Por e bën gradualisht e ëmbëlsisht, në mënyrë që skllevërve t’iu duket gjithçka si natyrale, madje zbavitëse e argëtuese.
E brenda kësaj kënete, është e vështirë t’i shpjegosh një zvarraniku inkubatori, se “ku qëndron e keqja me këto emisione”.
Fundja po deshe e sheh po deshe nuk e sheh.
Sikur vërtet zvarraniku të kishte aftësi për të zgjedhur, apo vërtet sikur mediat të jepnin dhe emisione edukative e demokratike, ku vërtet t’i mund të zgjidhje…
E ndërkohë neoliberizmi avancon, mes injorancës e mjerimit artificial…