Vendosni fjalën kyçe....

Shpërthim i fuqishëm në fabrikën e prodhimit të fishekzjarreve në Turqi


Një shpërthim ka ndodhur në një fabrikë fishekzjarrësh në provincën Sakarya në Turqinë veriperëndimore, raporton Anadolu Agency (AA).

Shpërthimi në fabrikën që gjendet në rrethin Hendek ka ndodhur për shkaqe ende të panjohura.

Zëri i shpërthimit është dëgjuar në shumë pjesë të qytetit në largësi prej rreth 50 kilometrash, me çka shumë qytetarë kanë dalë jashtë.

Në zonë janë dërguar ekipe shëndetësore dhe të zjarrfikësit.

Ndërkohë, guvernatori i provincës, Vali Kaldırım, tha për AA se 150-200 persona besohet të kenë qenë brenda fabrikës.

“Sipas informatave që kemi marrë nga pronari i fabrikës, brenda ka midis 150 dhe 200 njerëz, por intervenimi aktualisht është i pamundur pasi shpërthimet vazhdojnë”, tha Kaldırım.

“Të gjitha ekipet tona janë atje. AFAD, ekipet shëndetësore, zjarrfikësit, UMKE, xhandarmëria, policia, të gjitha njësitë tona. Rreth fabrikës janë marrë të gjitha masat. Meqenëse bëhet fjalë për fabrikë fishekzjarrësh dhe shpërthimet vazhdojnë, aktualisht nuk po mund të intervenojmë”, shtoi Kaldırım.

Nga ana tjetër, siç bëhet e ditur, ministri i Brendshëm, Süleyman Soylu, ministri i Shëndetësisë, Fahrettin Koca dhe ministrja e Familjes, Punës dhe Shërbimeve Sociale, Zehra Zümrüt Selçuk, janë nisur drejt zonës së fatkeqësisë.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *