Përfaqësuesi i PS-së për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri, ka deklaruar sot nga Vlora se mund të ketë ndryshim të Kodit Zgjedhor dhe se në zgjedhjet e vitit 2021 mund të shkohet me lista të hapura.
Gjiknuri tha se socialistët po shohin mundësinë e pranimit të ndonjë kushti nga opozita parlamentare, me qëllim sigurimin e votave.
E këtu përfshin edhe hapjen e listave.
“Nuk përjashtoj mundësinë e listave të hapura nëse ne nuk gjejmë dot votat për të kaluar Kodin, natyrshëm që do të mundohemi të bëjmë kompromise me ta, përfshirë mbase edhe hapjen e listave, por është shumë shpejt për të folur. Por nëse nuk sigurojmë votat, është natyrshëm që duhet një kompromis, ose nuk do të kemi ligj zgjedhor.
Listat e hapura, nëse hapen me mënyrën që kërkon opozita, menaxhimi i numërimi i votave do të bëhet i vështirë, do të kërkojë ndërhyrje të tjera, në thjeshtimin e listave që paraqiten nga koalicionet. Opozita gjithmonë e ka kërkuar hapjen e listave, ne nuk kemi thënë se jemi kundër, por do konsensus më të gjerë, por me qëllim që Shqipëria të bëjë zgjedhje duhet të kalojë kodi, se sot nuk kemi kod. Mos më kërkoni të them se kush është përfundimi, pasi është një rrugë që sapo ka filluar dhe një betejë që nuk dihet si do të përfundojë”-deklaroi Gjiknuri.
Nga ana tjetër, deputeti socialist përjashtoi si mundësi organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, duke argumentuar se ka qenë PD-ja që ka hequr dorë nga kjo kërkesë, për të mundësuar identifikimin biometrik.