Vendosni fjalën kyçe....

Gazment Bardhi “i hap derën” e PD-së Jozefina Topallit: Një zë me kontribut në parti


Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi ishte sot në Shkodër, nga ku la të hapur mundësinë e kandidimit të ish-kryeparlamentares Jozefina Topallit në listat e PD-së.

”Padiskutim. Zonja Topalli është anëtare e Këshillit Kombëtar të PD-së, është anëtare sipas statutit të PD-së për shkak të funksioneve të rëndësishme që ka marrë gjatë kohës kur qeveriste PD.  Ka qenë për 8 vite kryetare e parlamentit. Është një zë që ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në Partinë Demokratike, por sigurisht ka marrë mbështetje të jashtëzakonshme nga demokratët dhe PD-ja.”– ka deklaruar Bardhi para gazetarëve.

Bardhi po fliste lidhur me procesin në Shkodër për propozimet e kandidatëve për deputetë.

Ai i bëri thirrje çdo demokrati që ka dhënë kontribut, që të rikthehet në parti dhe Topalli nuk përbën përjashtim.

”Pas zhvillimit të mbledhjes së kryesisë javën e shkuar, sot kemi nisur mbledhjet në çdo grup seksion të degës së Shkodrës për të marrë propozimet e anëtarëve mbi kandidatët për deputetë dhe kryetar bashkie. Kjo është faza e parë e një procesi të ri të përzgjedhjes së kandidatëve që ka filluar Partia Demokratike. Më pas do ketë edhe një fazë tjetër ku anëtarësia do të ketë rol domethënës në proces, që është faza e konsultimit të kandidatëve të seleksionuar. Secili anëtar do ketë mundësi që me parimin një anëtar një votë, të zgjedhë përfaqësuesit e vet politikë në nivelin qendor dhe lokal.

Nëse çdo individ me kontribut në Partinë Demokratike ka objektiv të vetin të kthejë demokratët në pushtet, apo t’i kthejë demokratëve besimin që ka marrë prej tyre ndër vite, sigurisht që e ka më shumë sesa detyrim. Një përfaqësues politik në të shkuarën i PD-së, ka qenë në ato pozicione për shkak të mbështetjes që ka marrë nga demokratët e zakonshëm. Fakti që një individ humbet një pozicion të caktuar përfaqësimi, nuk nënkupton dhe nuk duhet të nënkuptojë në asnjë rast braktisjen e demokratëve. Apeli im dhe thirrja ime është që kushdo ka marrë mbështetje nga demokratët, është momenti t’i kthejë mbështetje demokratëve për Shqipërinë mbi të gjitha por edhe për Partinë Demokratike”, tha Bardhi.

Mes të tjerave, Bardhi përsëriti thirrjen e tij ndaj Kuvendit, për të miratuar draftin për Reformën Zgjedhore të arritur me konsensus mes forcave politike.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *