Pas rritjes së vazhdueshme të numrit të të infektuarve me Covid-19 në vend, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu thotë se sot në spitalin infektiv, ka të shtruar edhe të rinj që po trajtohen për simptoma të rënda të sëmundjes infektive.
Për këtë arsye ajo bën thirrje për respektimin e masave të distancës sociale dhe higjienës sanitare.
“Sot në spitalin infektiv mes qytetarëve të shtruar, ka të rinj që po trajtohen për simptoma të rënda të shkaktuara si pasojë e COVID19, sepse virusi nuk bën dallim moshe.
Sot, ka shumë të rinj që me kontaktet e shpeshta me njëri-tjetrin, pa i respektuar rregullat, rrisin mundësinë e përhapjes së infeksionit dhe e përcjellin atë tek prindërit, gjyshërit, duke i vënë ata në rrezik serioz!
Vetëm me kontributin e të rinjve, për të marrë përgjegjësi individuale në këtë kohë të pazakontë, përhapja e coronavirusit të rrezikshëm mund të frenohet! Vendose maskën, Ruaj distancën, Laj shpesh duart!”– shkruan Manastirliu krahas një videoje tjetër sensibilizuese për Covid, në të cilën këtë radhë shfaqet Julka Gramo.