Vendosni fjalën kyçe....

Mesazhi i Yuri Kim për shqiptarët për “4 korrik”: Ta bëjmë Shqipërinë një aleate më të aftë


Me rastin e 244-vjetorit të pavarësisë së SHBA-ve, ambasadorja amerikane Yuri Kim ka një mesazh dhe për shqiptarët. Kim ka folur për situatën e vështirë të krijuar nga pandemia dhe se ky 4 korrik do të jetë krejtësisht ndryshe nga të tjerët.

Pavarësisht distancës fizike, ambasadorja Kim thotë se amerikanët janë po aq të bashkuar e po aq afër sa gjithmonë.

“Përshëndetje! (në shqip). Miq të dashur, festimi i Ditës së Pavarësisë së Amerikës këtë vit nuk është si asnjë tjetër. Për herë të parë, po përballemi me një pandemi e cila nuk na ka lënë të mblidhemi nën një çati, për të festuar ditëlinndjen e 244-ët të SHBA-ve.

Ndërsa duhet të qëndrojmë të distancuar fizikisht, ne, amerikanët dhe shqiptarët jemi jemi po aq afër dhe të bashkuar si gjithmonë. Mbetemi të lidhur nga dashuria dhe mbrotja e lirisë sonë, e pavarësisë sonë, dhe vizionit tonë të përbashkët për të ardhmen”, shprehet në video-mesazhin e saj ambasadorja amerikane Yuri Kim.”– thotë ajo.

Ambasadorja Kim thotë se SHBA do të vijojë të qëndrojë në krah të Shqipërisë, në rrugën e saj drejt BE-së dhe për miratimin e konsolidimin e reformave.

“Shtetet e Bashkuara do vijojnë të qëndrojnë krenar krah jush, ndërsa zgjerojmë dhe thellojmë marrëdhëniet tona të mbrojtjes dhe ta bëjmë Shqipërinë një aleate edhe më të fortë e më të aftë.

Në vitin 2016, kur Kuvendi miratoi njëzëri Reformën në Drejtësi, vendi hodhi hapat e parë drejt vendosjes të drejtësisë së re në Shqipëri për të çrrënjosur korrupsionin, për të ndjekur penalisht krimin e organizuar dhe për të vendosur me vendosmëri sundimin e ligjit. Ky është një proces që kërkon kohë dhe përpjekje për të sjellë rezultate! Por, si gjithmonë, SHBA do të vazhdojnë t’ju mbështesin!

Sot Shqipëria është drejt rrugës së një bashkimi të ri, atë me Bashkimin Europian! Reformat e nevojshme për këtë do të sjellin më shumë drejtësi dhe begati për popullin shqiptar. SHBA ishin me ju në fillim të këtij procesi dhe ne do të qëndrojmë me ju derisa të arrini qëllimin tuaj.  Historia ka treguar që në momente vendimtare, SHBA dhe Shqipëria kanë zgjedhur të jenë pranë njëra-tjetrës. Ne vazhdojmë të qëndrojmë me ju sot, dhe do të qëndrojmë me ju nesër, si aleatë, të fortë, të lirë dhe të vendosur për të formuar një bashkim më të përsosur”, shprehet ambasadorja.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *