Zëvendësministrja e Turizmit, Ornela Çuçi, është zgjedhur anëtare e Bordit të Fondit të Gjelbër të Klimës, duke u bërë e para përfaqësuese nga Ballkani, që ngjitet si anëtare e të drejtë vote.
Këtë pozicion Çuçi do ta mbajë për dy vite. Siç thuhet në faqen zyrtare të GCF, Çuçi është propozuar nga grupi i Europës Lindore.
Në vitin 2019-të ajo u bë pjesë edhe e Bordit të GEF (Lehtësirat Globale të Mjedisit) që ka një vëllim të përgjithshëm financimi 32 miliardë dollarë.
“Prej disa muajsh jemi duke punuar ngushtë me kabinetin e Kryeministrit në mënyrë që të nxisim një iniciativë rajonale, të kryesuar nga Shqipëria, për një qasje rajonale në akselerimin e fondeve për vendet e Ballkanit Perëndimor”- ka deklaruar Çuçi pas zgjedhjes në Bordin e Fondit të Gjelbër të Klimës.
Sipas saj, rajoni ofron shumë mundësi për luftën kundër ndryshimit të klimës, por për fat të keq, GCF ishte në gjendje të aprovojë vetëm tre projekte në vendet e Ballkanit Perëndimor deri më tani.
“Rajoni përballet me sfida të shumta për shkak të kapaciteteve të kufizuara institucionale dhe bashkëpunimit. Për më tepër, reagimi i vendeve ndaj efekteve të ndryshimit të klimës është sporadik, i drejtuar nga projekte sporadike dhe jo i bazuar në një qasje rajonale”. – thekson Çuçi.
Fondi i Gjelbër i Klimës është i vetmi entitet financiar multilateral, mandati i vetëm i të cilit është t’i shërbejë Konventës së Ndryshimeve Klimatike dhe që synon të sigurojë shuma të barabarta fondesh për zbutjen dhe adaptimin.