Vendosni fjalën kyçe....

Ana e errët e Dëshmitarëve të Jehovait


Nga Jeta Dedja

Ju kanë trokitur ndonjëherë në derë Dëshmitarë të Jehovait? Disave po. Përshtypja e parë, nisur prej pamjes së jashtme mund të ketë qenë pozitive. Njerëz të veshur mirë, të sjellshëm, me buzëqeshje, me revistat në duar, të printuara këndshëm me ngjyra.

E më pas sjellja këmbëngulëse për të predikuar e për të ardhur sërish një ditë tjetër në shtëpinë tuaj, mbase ju është dukur imponuese, e bezdisshme, intruzive.

Kjo organizatë më ka tërhequr vëmendjen 20 vite më parë, kur një ekip gazetarësh gjermanë erdhën në Shqipëri të investigonin përhapjen e “Dëshmitarëve të Jehovait”, duke bërë lidhjen mes një serie vetëvrasjesh në moshat e vogla në ato vite.

Pati ca lëvizje nga strukturat e rendit dhe hetimit në atë kohë, por jo ndonjë gjë madhore, pasi mesa duket prevaloi liria e mendimit, ndërgjegjes dhe fesë, siç vitet e mëpasshme e treguan në disa vende të botës në raste të ngjashme.

Por ja që emri i organizatës doli në skenë sërish në rastin e vetëvrasjeve të ditëve të fundit në lagjen “Kombinat” Tiranë, ku një nënë bashkë me njërën nga dy vajzat e saj u gjendën të pajeta në apartamentin e tyre, ndërkohë që vajza tjetër ishte në gjendje kritike.

Sipas deklarimeve të policisë, familja ishte pjesë e organizatës “Dëshmitarët e Jehovait” dhe nisur nga vlerësimi forensik, trupi i pajetë i vajzës mbahej prej 15 muajsh në shtëpi, duke iu nënshtruar një procesi të ngjashëm me mumifikimin.

Dëshmitë e para nga e mbijetuara përmendin si motiv të kësaj historie tragjike “shpresën për ringjallje”. Kujtoj se babai i vajzave ishte vetëvrarë pesë vite më parë në rrethana të pashpjeguara.

Po kush janë Dëshmitarët e Jehovait?

E themeluar që në 1870 prej Pastorit Russell në Pensilvani, SHBA, fillimisht si Kulla e Rojës, më pas në 1917 nën drejtimin e Joseph Franklin Rutherford u quajt “Dëshmitarët e Jehovait”, organizata ka një strukturë hierarkike me në krye grupin drejtues me qendër aktualisht në New York.

Listojnë rreth 9 milionë anëtarë dhe janë një organizatë që ligjërisht figuron e regjistruar si bamirëse me filiale në shumë vende të botës, cilësuar ndër më të pasurat por edhe më enigmatiket sa i përket transparencës së donacioneve.

Në faqen e tyre pohohet që organizata financohet nga donatorë anonimë, gjë që u kufizon autoriteteve mundësinë për të verifikuar dhe hetuar mbështetësit e tyre.

Por duke qenë të regjistruar si bamirës, ata nuk paguajnë taksa mbi të ardhurat. Kështu që në Kanada për shembull, “Dëshmitarët e Jehovait” cilësohen si të pasur dhe renditen në vendin e 18-të nga 86 mijë organizatat bamirëse të regjistruara deri para dy vitesh, me më shumë se 80 milion dollarë donacione. Ndërsa organizata e New York-ut llogaritet me mbi 950 milion dollarë të ardhura.

Por për çfarë i përdor kjo organizatë gjithë këto të ardhura? A ndërton spitale, shtëpi, shkolla, a i përdor për të festuar, apo për të ushqyer të varfrit nëpër botë?

Sipas bashkësisë, fondet shpenzohen për të mbështetur përhapjen e besimit nëpër botë, udhëtimeve dhe botimeve të miliona kopjeve të revistave “Kulla e Rojës” dhe Zgjohu”.

Në fakt paratë e Dëshmitarëve nuk dalin jashtë rrethit të tyre, sepse kjo organizatë ka në themel të principeve të saj, mospërzierjen me të tjerët, pasi i konsideron gjithë të tjerët si të korruptuar moralisht dhe të ndikuar nga Djalli.

Cilat janë disa nga rregullat e tjera të Dëshmitarëve?

Në vazhdim të parimit të mospërzierjes me të papastrit e të padenjët, dekurajohet shkollimi, vendi ku mund të krijosh njohje të reja, përpos dijes apo mendimeve jashtë qarkut të dëshmitarëve.

Gjithashtu refuzohet shërbimi ushtarak në emër të paqes, apo nderimi i simboleve kombëtare, apo transfuzioni i gjakut që të mos shkaktohet pakënaqësi tek Zoti, sepse sipas besimtarēve është vullneti i Zotit të heqin dorë prej gjakut sepse jetën ta jep vetëm Zoti.

Dëshmitarët as nuk festojnë, pasi askush nuk meriton të nderohet nëse nuk është Krishti, e prapë se prapë ata as Krishtlindjen, as Pashkën nuk e besojnë.

Dëshmitarët nuk shoqërohen me njerëz që sipas tyre janë në rrugë të gabuar. Ata shmangin ndërveprimet sociale, madje ndërpresin gjithë lidhjet edhe me familjarët e tyre nëse nuk janë në të njëjtën linjë besimi.

Ata kanë shkruar Biblën e tyre dhe besojnë se fundi i kësaj bote është shumë pranë.

Ata nuk besojnë në ferr. Me vdekjen mbaron jeta, por nëse besimtari ka ndjekur parimet e Zotit mund të jetë mes atyre 144 mijë personave të zgjedhur për t’u ringjallur e për të mbretëruar bashkë me Krishtin mbi një “tokë të re”.

Ndërsa gjithë të tjerët nëse vdesin para veprimit të Armageddon do t’u jepet një shans i dytë për t’u ringjallur. (motiv ky për të vrarë veten??)

A ka një lidhje direkte mes vetëvrasjeve dhe “Dëshmitarëve të Jehovait”? 

Nëse do të bëni një hulumtim në internet do të gjeni mes të tjerash një faqe në Facebook nën emrin “Jehovah’s Witnesses Suicide Memoriam”. Ndjekës në këtë faqe përkujtojnë anëtarë të organizatës që kanë vrarë veten. Janë shumë.

Po kaq shumë janë edhe rastet e diskutimeve mbi praktikimin e dënimit me përjashtim të anëtarëve që shkelin të paktën një nga parimet e organizatës që përshkrova më sipër.

Ky dënim i quajtur “Shunning” përshkruhet nga ish-anëtarë të “Dëshmitarëve” si tepër i rrezikshëm dhe me pasoja në shëndetin mendor. Mes të përjashtuarve gjenden mjaft prej atyre që kanë kryer vetëvrasje, duke mos përballuar dot jetën jashtë organizatës dhe të refuzuar prej tyre, trajtuar si kriminelë e të sëmurë pa shpresë – siç shprehen të afërmit e tyre.

Por krahas këtij grupimi të vetëflijuarish, gjenden raste të atyre që kanë ikur nga kjo botë vetëm që të jenë mes 144 mijë të ringjallurve në krah të Krishtit kur ai të vijë në tokë sërish.  

Edhe pse publikisht Dëshmitarët e dënojnë vetëvrasjen, ne nuk e dimë se çfarë interpretimesh bëjnë mbi ringjalljen predikuesit e sektit nëpër botë. Ne nuk e dimë se sa të përshtatshme janë këto interpretime për nivelin e zhvillimit kognitiv të ndjekësve të të gjitha moshave.

Dimë se organizata e Dëshmitarëve funksionon me bazë familjen dhe aplikon një lloj disipline me bazë ndëshkimin. Nëse një anëtar i familjes është pjesëtar, dy janë zgjidhjet; Ose gjithë të tjerët do t’u bashkohen Dëshmitarëve ose besimtari do t’i largohet familjes dhe do t’i refuzojë lidhjet me ta.

Nëse një fëmijë rritet mes Dëshmitarëve ai do të dëgjojë të njëjtin predikim që u bëhet të rriturve. Nëse i thuhet se pasi vdes, ai nuk do jetë më aty, por do ringjallet në mbretërinë e Jesusit, atëherë ai do e besojë fjalë për fjalë këtë.

Dhe nëse e dëgjon përditë e përditë këtë predikim, e jeton brenda kësaj organizate, për vite me radhë, i izoluar nga bota jashtë Dëshmitarëve, i tërhequr nga karriera, nga puna, shkollimi, nga lidhjet sentimentale, nga mediat, nga argëtimet, nga shërbimi ushtarak, nga trajtimet mjekësore specifike, etj, mendja dhe jeta do t’i vërtitet brenda qarkut të botës së Dëshmitarëve.

Jo gjithkush që përqafon këtë stil jete mund ta reflektojë atë njëlloj me dikë tjetër. Dhe jo të gjithë përfshihen në organizatë të motivuar prej besimit. Ka plot syresh që janë aty prej përfitimit. E përmenda më sipër çështjen e pasurisë dhe donacioneve misterioze.

Por filli këputet tek ata që besojnë verbërisht, naivët, të brishtët, të vetmuarit, të braktisurit, të marxhinalizuarit, të paragjykuarit, të alienuarit, të mjerët, të paditurit, të shqetësuarit mendorë e emocionalë, viktimat e dhimbjeve.

Filli u këputet edhe disave që nuk kanë lidhje fare me Dëshmitarët, por familja Josifi duket se nuk bënte pjesë tek këta të fundit.

Si ndodhi shuarja pothuajse e plotë e një familjeje?

Fundi tragjik i vetëshuarjes së 3 pjesëtarëve nga 4 të një familjeje nuk ndodhi sa hap e mbyll sytë. Iu deshën më shumë se 5 vite që të përgatiteshin për largimin nga kjo botë.

Nga leximet në shtypin shqiptar, vura re se familja njihej prej shumë njerëzve, pra kishte një rreth të njohurish që kishin informacionin se ato ndiqnin një organizatë fetare, nëna kish punuar si pastruese, i ati kish qenë mësues, vajzat kishin mbaruar një shkollë të lartë, jetonin në x pallat, kishin një dajë apo vëlla, disa herë kishin marrë ndihma në ushqime prej njësisë bashkiake. Do të thotë se bashkësia fetare, komshinjtë, fisi dhe shteti kishin dijeni për familjen Josifi.

Nëse familjen do ta vendosim në qendër të analizës, do konstatojmë se ajo ka qenë e dukshme për të tre nivelet sociale; makro (shteti), mezo (shoqëria) dhe mikro (familjarët).

Nëse e marrim të mirëqenë se shëndeti mendor i viktimave dhe të mbijetuarës ishte në gjendje tepër të rënduar, përgjegjësia do të zhvendoset rrjedhimisht në aktorët e sipërpërmendur; shteti, bashkësia fetare dhe shoqëria, familjarët e tjerë, të cilët përmes veprimeve e mosveprimeve, kanë përgjegjësinë e aktivizimit dhe mbajtjes gjallë të faktorëve riskues për shfaqjen dhe përsëritjen e sjelljeve vetëshkatërruese.

Por dihet se institucionet shtetërore i lajnë duart me një pako me vaj e uthull, miell e sheqer, sepse kaq vlerë i jepet një familjeje në nevojë. Aq sa të mbajë frymën gjallë, në rastin më fatlum-mendon zyrtari i shtetit. Më tej, nuk i bëhet vonë për njeriun që vuan në vetminë e varfërisë, papunësisë, problemeve mendore apo izolimit social.

Shoqëria moderne shqiptare njëlloj si shoqëritë e vendeve të mëdha po kultivon indiferencën dhe mosfutjen e hundëve në punët e tjetrit. Kujt ia mban të përballet me reagimin impulsiv të shqiptarit të inatosur? Më mirë rrimë larg, me sytë në celular, maksimumi një mirëmëngjes e hajt “shnet”.

Familjarët në ditët e sotme, në kushtet e migrimeve dhe emigrimeve po alienohen mes vedi. Po humbin kontaktet shpirtërore, distancat janë mbushur me ftohtësi dhe sipërfaqësi. Hallet bëjnë punën e vet.

Pse të ngarkojmë të afërmin me shqetësimet tona, sikur do na zgjidhë gjë? Komunikimi mbetet në nivelin: “Si jeni mirë, vetë mirë, puna mirë, vajzat mirë, Ndonjë gjë të re? Ok, hajt gjithë të mirat. Flasim!”

Ndërsa “Dëshmitarët e Jehovait” meqënëse është bërë një lidhje mes vetëvrasjeve dhe kësaj organizate, kanë mohuar zyrtarisht lidhjen me viktimat, edhe pse dëshmitë e të njohurve pohojnë të kundërtën.

E kështu, në fund fare, përgjegjësia me shumë gjasa u ngarkohet atyre që emrat do t’u harrohen sapo t’u hidhet grushti i dheut në tokën ku lindën.

Dhe me të drejtë një nënë shamibardhë do të pëshpërisë dhimbshëm në fund: “Eh, mjerë ai që ikën”!

A do të hetohet organizata “Dëshmitarët e Jehovait” lidhur me çështjen e familjes Josifi?

Nëse do duam të gjejmë shkaqet e fundit tragjik, do duhet të kërkojmë pas në vitet e shkuara, në historitë e familjes, por edhe në qëndrimet e bashkësisë fetare ndaj tyre dhe rolit të institucioneve të shërbimeve sociale e mjekësore.

Ndoshta prokuroria do të nisë hetimet ndaj “Dëshmitarëve”, normalisht kështu duhet të ndodhë meqënëse është palë e përfshirë në një farë mënyre në jetën e viktimave, ashtu siç duhet të hetojë rolin e shërbimit mjekësor e psiko-social në qendrën komunitare.

Është me rëndësi që çështja të mos mbarojë me përcjelljen e viktimave, por të analizohet kritikisht e të merren masa parandalimi për tragjedi të tjera, jo vetëm ligjërisht, por edhe në aspektin shëndetësor, sociologjik e moral.

VINI RE: Titulli është redaksional

Titulli origjinal i shkrimit: Dëshmitarët e Jehovait në derë të shtëpisë


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *