Vendosni fjalën kyçe....

Profil – Mimoza Hafizi, akademikja që garon për kreun e Universitetit të Tiranës


Teksa Ministria e Arsimit ka përcaktuar datën polemizuese të 30 korrikut për zhvillimin e zgjedhjeve në universitete, kanë dalë edhe emrat e kandidatëve të parë për rektor të Universtetit të Tiranës.

Përveç rektorit të tanishëm, Koni e dekanit të Drejtësisë, Artan Hoxha, në listën e kandidatëve janë edhe Kozeta Sevrani nga Fakulteti Ekonomik dhe pedagogia e Shkencave të Natyrës, Mimoza Hafizi.

Hafizi e ka pohuar kandidaturën e saj për të drejtuar institucionin më të rëndësishëm të arsimit të lartë në vend ditë më parë ndërsa ka folur më shumë rreth saj gjatë një interviste televizive.

Ish-deputete e Partisë Socialiste dhe për pak kohë edhe e Libras, Hafizi, është një nga shkencëtaret më në zë.

Gjatë intervistës Hafizi tha se e kishte kundërshtuar datën 30 korrik të caktuar nga Ministria e Arsimit për zhvillimin e zgjedhjeve duke shpresuar që ato të shtyhen për në shtator, kur auditoret do jenë të mbushura më studentë të cilët sipas saj duhet të japin mendimin e tyre e të votojnë.

“Unë e kam denoncuar këtë vendim dhe e kam quajtur të papranueshëm por tashmë jam futur në garë dhe u bëj thirrje kush e ka të mundur që të vijë, të jenë të pranishëm që ta japin mendimin e tyre. Nëse studentët e kanë fuqinë që ta shtyjnë datën e zgjedhjeve do ishte shumë pozitive, pasi në shtator universitetet do jenë plot.” – thotë ndër të tjera Hafizi.

Teksa rrëfen vizionin e saj për universitetin, Hafizi, pohon edhe faktin se për të kandiduar ishte shtyrë nga kolegët e saj.

“Për këtë vendim jam shtyrë edhe nga shumë kolegë. Universiteti përballet me shumë probleme e platforma ime do ketë disa shtylla kryesore që do përqendrohen në çështjet e pedagogëve, mësimdhënies, kërkimit shkencor, të studentëve, të marrëdhënieve pedagod-student, por mendoj se çështja kryesore është administrimi i këtij universtetit, imazhit të këtij universitetit që duhet të ndryshojë. Ai duhet të drejtohet nga njerëz akademikë.” – thekson më tej Hafizi.

Formimi akademik

Mimoza Hafizi është diplomuar në Fakultetin e Shkencave Natyrore, Universiteti i Tiranës, për Fizikë Speciale, diplomë e shoqëruar me Medaljen e Artë, ndërsa studimet pasuniversitare në “Relativitetin e Përgjithshëm dhe në Teorinë e Grupeve”.

Studimet doktorale i ka kryer në Francë, D.E.A e Fizikës Teorike në ‘École Normale Supérieure’, Paris. Aktualisht është shef e departamentit pranë Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe anëtare e Akademisë së Shkencave.

Ajo është pedagoge pranë Departamentit të Fizikës që prej vitit 1995. Studimi i saj gjatë doktoraturës është fokusuar tek Yjet Bozonike, objekte teorike hipotetike të Universit të energjive të larta.

Fushat e saj të kërkimit janë Shpërthimet Gama, ngjarjet më energjike në Univers dhe Ekzoplanetet, planetet jashtë Sistemit Diellor, përmes metodës së mikrolenteve gravitacionale. Fushat e mësimdhënies janë Astrofizika dhe Mekanika Kuantike.

Ka qenë deputete në Kuvendin e Shqipërisë dhe Zv/ministre e Arsimit dhe Shkencës. Për katër vjet ka drejtuar Departamentin e Fizikës.

Gradat dhe titujt akademikë

Diplomë e Integruar, Fizikë Speciale, pasuar me “Medaljen e Artë”, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës (1985).

Diplomë e Thelluar në Fizikën Teorike, Universiteti Paris 7, Francë (1991)

Doktor i Shkencave në Fizikën Teorike, Universiteti Paris 7, Francë (1995)

Profesor i Asociuar në Fizikë (2000)

Profesor në Fizikë (2012)


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *