Rreth 1.000 persona protestuan në rrugët e kryeqytetin belg të dielën për të mbrojtur të drejtën e veshjes së shamive në universitete.
Veprimtaria në fjalë u organizua nga tre OJQ vendore që përfaqësojnë gra myslimane dhe luftojnë për përfshirje sociale.
Protesta vjen kundër një vendimi të fundit të Gjykatës Kushtetuese që lejon ndalimin e simboleve fetare në arsimin e lartë.
Në protestë morën pjesë qindra gra të reja, një pjesë e tyre të pambuluara e që dëshironin të protestonin ndaj diskriminimit dhe të shfaqnin solidaritet me bashkëmoshataret e tyre që mbajnë shami.
Duke respektuar rregullat e autoriteteve belge, demonstruesit mbanin maska dhe u përpoqën të mbanin distancën sociale.
Në qershor, gjykata kushtetuese belge vendosi që ndalimi i simboleve fetare – përfshirë hixhabet – në arsimin e lartë nuk përbën shkelje të lirisë së fesë ose të drejtës për arsimim sipas Kushtetutës belge dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Sidoqoftë, ndalimet e shamisë nuk janë të përhapura në Belgjikë.
Disa institucione të arsimit të lartë belg – përfshirë Universitetin e Lirë të Brukselit (VUB) ose Universitetin Katolik të Leuven – e sqaruan në korrik se ata mirëpresin studentët ‘pavarësisht nga gjinia, origjina ose statusi shoqëror, me ose pa shami’.