Kur duhet edhe më pak se një vit nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Partia Demokratike ka ndezur motorët për të zhvilluar strategjitë e nevojshme të afrimit të sa më shumë njerëzve pranë vetes.
Në zgjedhjet e kaluara pati një çarje në grupin parlamentar të demokratëve ku shumë figura qendrore dhe me poste në këtë parti debatuan dhe më pas u larguan nga partia nën drejtimin e Lulzim Bashës.
Figura si Ridvan Bode, Jozefina Topalli, Majlinda Bregu, Astrit Patozi apo Genc Ruli e Arben Imami nuk ishin në listat e Partisë Demokratike në zgjedhjet e vitit 2017.
Prandaj duket se dështimi i arritur në 2017, ka bërë që në PD me zgjedhjet e 2021 të formulohet një strategji e re e cila si duket përveçse kërkon hapjen ndaj figurave komplet të reja synon edhe rikthimin e “xhaketave të vjetra”.
Këto sinjale janë dhënë nga eksponentë të PD-së apo vetë kryetari i saj Lulzim Basha dhe lideri historik Sali Berisha.
I pyetur në mënyrë të drejtpërdrejtë në emisionin “Zonë e Lirë”, të premten e kaluar nëse ka vend për rikthimin e Arben Imamit, Lulzim Basha u përgjigj se “me hapjen e re në PD ka vend për këdo që ka dhënë kontribut” duke nënkuptuar se dera nuk është mbyllur për ta.
“KOP-i i vjetër është organ statutor i PD-së, natyrisht që do afrohen apo do riaktivizohen apo intensifikohet çdokush tjetër”-tha Basha.
Lidhur me këtë, ditët e fundit në media është raportuar edhe për takimet e vetë Bashës me disa nga figurat të cilat kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm për selinë blu.
Ndërsa në studion e emisionit “Çim Peka Live” ish-kryeministri dhe ish-kryetari i PD-së Sali Berisha deklaroi se bashkimi është i rëndësishëm duke përmendur eksperiencën e tij, kur edhe pse ishte ndarë më parë me figurat si Arben Imami, Genc Pollo dhe Genc Ruli arriti të krijonte bashkëpunim më pas.
Sipas kësaj Berisha lë të kuptohet se një rikthimin i figurave të vjetra nuk do i bënte dëm PD-së madje mund të sillte sukses.
Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i PD-së në një takim në Shkodër, i bëri ftesë të hapur rikthimit të Jozefina Topallit.
”Padiskutim. Zonja Topalli është anëtare e Këshillit Kombëtar të PD-së, është anëtare sipas statutit të PD-së për shkak të funksioneve të rëndësishme që ka marrë gjatë kohës kur qeveriste PD. Ka qenë për 8 vite kryetare e parlamentit. Është një zë që ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në Partinë Demokratike, por sigurisht ka marrë mbështetje të jashtëzakonshme nga demokratët dhe PD-ja.”– deklaroi Bardhi para gazetarëve.
Deri më tani nuk ka asnjë reagim nga Topalli mbi ftesën e bërë edhe pse këto vite ka qenë një kritike e hapur e mënyrës së drejtimit të partisë nga Lulzim Basha.
Strategjia për rikthimin e figurave të vjetra apo hapja me fytyra të reja e PD-së nuk është ndonjë veprim i ri, pasi të njëjtën gjë përdori edhe Sali Berisha në vitin 2005 ku riktheu të vjetrit dhe krijoi KOP-in ku u afruan njerëz të rinj mes tyre edhe kryetari aktual Basha.
Mbetet për t’u parë nëse ish-eksponentët do e përqafojnë këtë strategji, për të cilën ftesa këtë radhë nga Basha kur duket se distancimi për të gjithë këto vite ka qenë i madh si në replika dhe në aksione./ Hashtag.al