Tre janë kandidatët për rektor në Universitetin e Tiranës, në zgjedhjet që do të mbahen më 30 korrik: njëri jurist, tjetra astro-fizikanteje dhe e fundit një ekonomiste.
Ata janë: Artan Hoxha (nga Fakulteti i Drejtësisë), Mimoza Hafizi( nga Shkencat e Natyrës) dhe Kozeta Sevrani (nga Fakulteti Ekonomik).
Përveç tre kandidatëve për rektorë, sipas kryetares së KIZ deri më tani janë regjistruar 70 aplikantë për anëtarë të senatit.
Dje në orën 16:00 u mbyll afati zyrtar për regjistrimin e kandidatëve për zgjedhjet në universitete. E rektori aktual i UT-së, Mynyr Koni, duket se nuk e ka ndërmend të rikandidojë.
Vetë Koni kur u pyet disa ditë më parë mbi mundësinë e rikandidimit, tha se do ta merrte parasysh si mundësi, pasi të shihte të gjitha kandidaturat që do të kishte përballë.
Kujtojmë se ai nuk e ka njohur Këshillin Institucional Zgjedhor si të ligjshëm dhe ka shkarkuar nga detyra 5 anëtarët e KIZ. Shkaku ishte se veprimet e KIZ u cilësuan si të kundraligjshme për shpalljen e zgjedhjeve në kohën e pandemisë.
Artan Hoxha ishte i pari që shpalli kandidaturën për rektor. Ai është shprehur disa herë në deklaratat para gazetarëve, kundër rektorit aktual, Mynyr Koni.
Ndërsa kandidaturën e tij e ka konsideruar si një vendim të tijin të herdhëm.
“Kandimi për rektor i Universitetit të Tiranës nuk është vetëm një vendimmarrje e momentit dhe që lidhet me situatën sot. Është një përgjegjësi që unë ndjej ndaj universitetit për të dhënë kontribut. Platforma ime do jetë e publikuar, do ta ketë i gjithë personeli akademik dhe studentët në dispozicion, sepse unë vlerësoj që Universiteti i Tiranës në këto katër vite, ka pasur problematika të rënda të drejtimit dhe administrimit. Filozofia ime është që drejtimi nuk është autokratik, nuk është autoritet, por është një drejtim i përbashkët në respektim të autonomisë dhe të vlerave që bota akademike ka.”– tha Hoxha para pak kohësh.
Karriera e Hoxhës
Prof. Dr. Artan Hoxha ka përfunduar studimet e larta për drejtësi në Universitetin e Tiranës, në vitin 1983 dhe ato pasuniversitare për Konventat e Këshillit të Evropës në fushën penale në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Leidenit, Hollandë, në vitin 1995. Mban titullin “Profesor” që prej vitit 2015.
Aktualisht, është Dekan i Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, që prej vitit 2016.
Hoxha e ka filluar karrierën e tij profesionale si Prokuror Sektori në Prokurorinë e Rrethit Lushnjë dhe më pas është emëruar Prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme. Gjatë periudhës 1992 – 1994, ka shërbyer si Specialist në Drejtorinë e Kodifikimit, në Ministrinë e Drejtësisë dhe në vitet 1997 – 1999 si Drejtor i kësaj Drejtorie. Më pas, në periudhën 1999 – 2008 ka qenë Gjyqtar në Gjykatën e Lartë.
Që prej vitit 1997, ai është pedagog i jashtëm në Shkollën e Magjistraturës dhe që prej vitit 1998 pedagog i lëndës “E drejta procedurale penale” në Fakultetin e Drejtësisë.
Gjatë karrierës së tij profesionale, ka qenë anëtar i disa grupeve të punës dhe komiteteve për zhvillimin e legjislacionit në Shqipëri. Më konkretisht, ka qenë anëtar i grupit të punës për hartimin e Kodit të Procedurës Penale (1992 – 1994), anëtar i Komisionit të Reformave Ligjore dhe Institucionale të ngritur pranë Ministrisë së Drejtësisë (2004 – 2006), Kryetar i Komisionit për Ndihmë Legjislative të Konferencës Gjyqësore Kombëtare (2001 – 2008), Anëtar i Komitetit të Ekspertëve për Operimin e Konventave Evropiane në Fushën Penale (1997 – 2003).
Nga viti 2004, ai është Ekspert i Këshillit të Evropës në fushën penale dhe të pushtetit gjyqësor për trajnime brenda dhe jashtë vendit.
Ai është anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë që prej muajit dhjetor të vitit 2018.
MIMOZA HAFIZI
Ish-deputete e Partisë Socialiste dhe për pak kohë edhe e Libras, Hafizi, është një nga shkencëtaret më në zë.
Gjatë intervistës Hafizi tha se e kishte kundërshtuar datën 30 korrik të caktuar nga Ministria e Arsimit për zhvillimin e zgjedhjeve duke shpresuar që ato të shtyhen për në shtator, kur auditoret do jenë të mbushura më studentë të cilët sipas saj duhet të japin mendimin e tyre e të votojnë.
“Unë e kam denoncuar këtë vendim dhe e kam quajtur të papranueshëm por tashmë jam futur në garë dhe u bëj thirrje kush e ka të mundur që të vijë, të jenë të pranishëm që ta japin mendimin e tyre. Nëse studentët e kanë fuqinë që ta shtyjnë datën e zgjedhjeve do ishte shumë pozitive, pasi në shtator universitetet do jenë plot.” – thotë Hafizi.
Teksa rrëfen vizionin e saj për universitetin, Hafizi, pohon edhe faktin se për të kandiduar ishte shtyrë nga kolegët e saj.
Formimi akademik
Mimoza Hafizi është diplomuar në Fakultetin e Shkencave Natyrore, Universiteti i Tiranës, për Fizikë Speciale, diplomë e shoqëruar me Medaljen e Artë, ndërsa studimet pasuniversitare në “Relativitetin e Përgjithshëm dhe në Teorinë e Grupeve”.
Studimet doktorale i ka kryer në Francë, D.E.A e Fizikës Teorike në ‘École Normale Supérieure’, Paris. Aktualisht është shef e departamentit pranë Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe anëtare e Akademisë së Shkencave.
Ajo është pedagoge pranë Departamentit të Fizikës që prej vitit 1995. Studimi i saj gjatë doktoraturës është fokusuar tek Yjet Bozonike, objekte teorike hipotetike të Universit të energjive të larta.
Fushat e saj të kërkimit janë Shpërthimet Gama, ngjarjet më energjike në Univers dhe Ekzoplanetet, planetet jashtë Sistemit Diellor, përmes metodës së mikrolenteve gravitacionale. Fushat e mësimdhënies janë Astrofizika dhe Mekanika Kuantike.
Ka qenë deputete në Kuvendin e Shqipërisë dhe Zv/ministre e Arsimit dhe Shkencës. Për katër vjet ka drejtuar Departamentin e Fizikës.
KOZETA SEVRANI
Edhe pse emri i saj përflitej prej kohësh, Kozeta Sevrani ishte e fundit që iu bashkua garës për rektore.
Ajo është pedagoge në Fakultetin e Ekonomisë, konsulente në disa kompani si dhe kryetare e Këshillit të Statistikave.
Karriera e Sevranit
Kozeta Sevrani është diplomuar për fizikë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në UT, në vitin 1984.
Kozeta Sevrani është pedagoge e Informatikës dhe e Sistemeve të Informacionit të Menaxhimit. Interesat e saj kërkimore përfshijnë: Sistemet e informacionit dhe Siguria e informacionit; e-commerce/e-business, e-learning, e-qeverisje dhe e-shërbime; Integrimi i sistemeve të informacionit, etj.
Që nga viti 2010 është organizatore e konferencës ndërkombëtare vjetore ISTI, bashkëorganizatore e konferencave dhe ëorkshopeve të ndryshme ndërkombëtare, Gjithashtu, bën punën e konsulencës në kompani private si dhe anëtare e bordit në agjenci qeveritare.
Prof. Sevrani është përfshirë në projekte të ndryshme ndërkombëtare si dhe ka prezantuar punën e saj në konferenca të shumta vendase dhe ndërkombëtare. Ajo është në bordin editorial të disa revistave ndërkombëtare dhe puna e saj është botuar në disa revista. Është bashkëautore e një monografie si edhe e katër librave.
Ka disa eksperienca në mësimdhënie në universitete të huaja si në Suedi, Austri, Norvegji, Kosovë, etj.
Në vitin 2017-të, Këshilli i Ministrave e emëroi atë si kryetare të Këshillit të Statistikave, pas kishte shërbyer disa vitesh si anëtare./Hashtag.al