Qytetarët e Kosovës po paralajmërohen nga Ministria e Shëndetësisë atje që të përgatiten, pasi muaji korrik do të jetë i vështirë për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19.
Drejtori i zyrës për mediat në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, thotë e rritja e numrit të personave të infektuar me COVID-19, ka ardhur si pasojë e mosrespektimit të masave mbrojtëse.
Kështu janë marrë disa masa shtesë kufizuese në disa komuna. Duke filluar nga sot Komuna e Prishtinës, Ferizajt, Prizrenit dhe Vushtrrisë do të kenë kufizim të lëvizjes për shkak të numrit të madh të personave të infektuar me Covid-19.
“I bëjë thirrje qytetarëve të heqin dorë nga disa aktivitete që po ndikojnë në mbjelljen e virusit. Disa aktivitete të ndryshme që kanë ndodhur ilegale, dasmat e ahengje e deri te trendi i lëvizjes në bregdete gjatë vikendit kanë bërë që të kemi situatën e ngarkuar. Shifrat tregojnë se si jemi sjell ne si shoqëri”, deklaroi ai, përcjell Telegrafi.
Më tej, Hoti tha se Qeveria e Kosovës kishte synim lirimin e masave, por që disa biznese e kanë keqpërdor mirëbesimin e shtetit dhe nuk kanë respektuar masat.
“Qeveria ka kërkuar nga ISHKP që me automatizëm secila komunë që ka rritje të numrit do të përjetoj fatin që të futet në kufizimin e lëvizjes. Në bazë të asaj që ka rrjedhë, në këtë muaj duhet të bëhemi gati që të jetë muaj i vështirë, por duhet të bëhemi gati që në muajin tjetër të jemi më mirë”, pohoi ai për RTV Dukagjinin.