Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet ish-kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku


Merr fund pas 8 muajsh arratia e ish-kryetarit të Bashkisë së Vorës, Agim Kajmakut. Sipas Report TV, Kajmaku u arrestua mbrëmjen e kaluar rreth orës 21:00, pasi u paraqit në gjendje të rëndë në një spital privat në Tiranë për shkak të diabetit.

Kanë qenë vetë mjekët ata që kanë lajmëruar policinë se ish-kryebashkiaku ndodhej aty, pasi ai ishte shpallur prej disa muajsh në kërkim.

Sjellim ndërmend se për Agim Kajmakun, më 12 nëntor Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” në mungesë, një ditë pasi prokuroria lëshoi urdhër arrestin për të. Më 21 nëntor, Gjykata e Apelit la në fuqi të njëjtën masë sigurie.

Që prej asaj kohe deri mbrëmë, Agim Kajmaku ishte në arrati.

Pas denoncimeve së pari nga Partia Demokratike, rezultoi se Agim Kajmaku ishte ndaluar nga autoritetet në Greqi kur jetonte në shtetin fqinj me emrin Jorgo Toto. Po këtë ai nuk e kishte deklaruar në formular.

Pas verifikimeve të Prokurorisë, Kajmaku akuzohet për tri vepra penale “Shpërdorim detyre”, “Falsifikimi i formularëve” dhe “Ushtrimi i funksioneve pas dhënies fund të detyrës”.

Pasi KQZ i hoqi mandatin më 1 nëntor, Kajmaku ka firmosur shkarkimin nga detyra të dy nën kryetarëve dhe ka vendosur dikë tjetër në atë post. Por avokati i ish-kryebashkiakut pretendon se lëvizjet janë bërë me  31 tetor dhe jo me 1 nëntor./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *