Vendosni fjalën kyçe....

Organizuan tubim të paligjshëm, policia procedon 6 tifozët e Tiranës dhe gjobit pronarin e një lokali


Gjashtë tifozë të Tiranës janë proceduar penalisht pasi në sfidën ndaj Kukësit në ambientet e jashtme të stadiumit organizuan tubim të paligjshëm dhe nuk iu bindën punonjësve të policisë.

Shtetasit e proceduar janë: M.J., F. M., E. S., O. K., G. X. dhe K. M.

Gjithashtu është gjobitur me 1 milionë lekë pronari i një lokali pasi lejoi të futeshin në ambientet e brendshme tifozët që nuk po zbatonin urdhrin.

Njoftimi i plotë:

Organizuan grumbullim dhe manifestim të paligjshëm, si dhe nuk u bindën urdhrit të punonjësve të Policisë për t’u shpërndarë, procedohen penalisht 6 shtetas, organizatorë të tubimit.

Gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit midis ekipeve Tirana – Kukësi, pasditen e djeshme, në stadiumin “Selman Stermasi”, disa persona kanë grumbulluar pranë stadiumit, një grup tifozësh të skuadrës Tirana, në shkelje të protokolleve të sigurisë për parandalimin e përhapjes së COVID-19, duke prishur rendin dhe qetësinë publike dhe duke kundërshtuar urdhrin e punonjësve të Policisë për t’u shpërndarë.

Pas veprimeve të shpejta hetimore të kryera nga ana e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 Tiranë, janë identifikuar dhe proceduar në gjendje të lirë organizatorët, konkretisht shtetasit:

M.J., F. M., E. S., O. K., G. X. dhe K. M.

Gjithashtu, në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror Shëndetësor, u gjobit me 1 milionë lekë të reja pronari i një lokali në afërsi të stadiumit, pasi lejoi të futeshin dhe të qëndronin në ambientet e brendshme të lokalit, tifozët që nuk po zbatonin urdhrin e Policisë për t’u shpërndarë dhe respektuar distancimin social, urdhër i dhënë disa herë me megafon, që prej fillimit të grumbullimit të paligjshëm e deri në shpërndarjen e plotë të tyre.

Materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *