Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, ka dalë pozitiv në testin për koronavirusin.
Ai bëri testin e katërt ditën e hënë, pasi kishte shfaqur simptoma të koronavirusit, duke përfshirë këtu edhe temperaturë të lartë.
Ai e bëri njoftimin në një intervistë televizive të martën, duke thënë se temperatura që ai kishte patur kishte rënë dhe se tani ndjehej “shumë mirë”.
Siç shkruan BBC, Bolsonaro tha që ai kishte filluar të kishte simptoma të dielën. Ai kishte patur temperaturë të lartë dhe kollë. Ai shtoi se të hënën ishte ndier më keq, gjë që e shtyu të bënte testin e koronavirusit.
Për shkak të moshës (është 65-vjeç), Bolsonaro bën pjesë në grupin e njerëzve me rrezik më të lartë për koronavirusin.
Ai tha se po merrte hidroksilklorinë dhe antibiotikun azithromycin, për të trajtuar sëmundjen.
Brazili ka numrin e dytë më të lartë të rasteve dhe vdekjeve Covid-19 në botë, pas SHBA-së.