Arrestohet një polic në Kavajë, pasi i kishte kërkuar ryshfet një qytetari, në mënyrë që të mos i arrestonte djalin që kishte thyer rregullat e pandemisë.
Polici me inicialet I.D, sipas policisë i kishte kërkuar 4 mijë euro një qytetari që të mos i arrestonte djalin i cili kishte thyer Aktin Normativ gjatë pandemisë, pra kishte thyer karantinën.
“Ai dyshohet se duke keqpërdorur atributet që i jep detyra dhe funksioni, ka konsumuar veprën penale të ‘Korrupsionit pasiv’. Subjekti i këtij procedimi penal, kryente funksionin e specialistit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë.
Gjatë ushtrimit të detyrës, ai i ka kërkuar një shtetasi një shumë prej 4,000 eurosh me qëllim favorizimin për mos arrestim në flagrancë të djalit të tij. I riu kishte kundërshtuar Patrullën e Policisë, duke thyer Aktin Normativ gjatë pandemisë.
Me qëllim ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale nga “Kundërshtim i punonjësit të Policisë” në “Mosbindje ndaj punonjësit të Policisë”, oficeri i Policisë kërkonte shumën e sipërmendur prej një periudhe disa mujore në formë kërcënimi, si duke ushtruar presion në ambientin e biznesit të shtetasit.”- thuhet në njoftim.
Oficerët e Policisë Gjyqësore të SHÇBA-së e arrestuan nënkomisarin I.D.,në kushte flagrancë, gjatë shkëmbimit të vlerave monetare.