Vendosni fjalën kyçe....

Joe Biden: Në ditën e parë si president, do rikthej SHBA-në në OBSH


Kandidati i demokratëve për zgjedhjet presidenciale në SHBA, Joe Biden, është zotuar se nëse do zgjidhet president, ai do të zhbëjë vendimin e Donald Trump-it për t’u tërhequr nga Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH). Dhe këtë do ta bëjë në ditën e tij të parë.

“Amerikanët janë më të sigurt kur Amerika është e angazhuar në forcimin e shëndetit global”– tha Biden, citon BBC. Ai vazhdoi:“Në ditën time të parë si President, unë do të ribashkohem në Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe do të rivendos udhëheqjen tonë në skenën botërore.”

Ditën e djeshme presidenti Donald Trump filloi zyrtarisht tërheqjen nga OBSH-ja të SHBA-së, pasi e kishte sinjalizuar këtë që në muajin maj. Ai tha se OBSH ishte nën kontrollin e Kinës gjatë krizës së koronavirusit.

Kina shprehu keqardhje për veprimin e Trump, duke thënë se kjo do të godiste vendet më të varfëra.

“Ky vendim i Shteteve të Bashkuara minon përpjekjet ndërkombëtare dhe do të ketë pasoja të mëdha – veçanërisht për vendet në zhvillim që urgjentisht kanë nevojë për mbështetje ndërkombëtare”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Zhao Lijian. “Ne i bëjmë thirrje Shteteve të Bashkuara për të përmbushur përgjegjësitë dhe detyrimet e saj ndërkombëtare dhe të tregojnë përgjegjësinë e një vendi të madh.”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *