Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi do niset ditën e hënë për në Hagë për të dëshmuar pasi është thirrur nga Prokuroria Speciale.
Lajmin e ka ndarë vetë Thaçi në rrjetet sociale ku ka thënë se edhe pse pjesëtarët e UÇK-së prej 20 vitesh janë ballafaquar me drejtësinë ndërkombëtare edhe pse Kosova si viktimë e luftës përsëri bashkëpunoi me drejtësinë për trajtimin e pretendimeve për krime lufte.
Vetëm disa ditë më parë njoftimi i Dhomave Speciale në Hagë anuloi takimin për dialog mes Serbisë dhe Kosovës në Shtëpinë e Bardhë nën dirigjimin e të caktuarit special Richard Grenell.
Postimi i plotë:
Qytetarë të nderuar të Republikës së Kosovës,
Në këto dy dekadat e fundit shumë pjesëtarë të UÇK-së u ballafaquan me drejtësinë ndërkombëtare të UNMIK-ut, Tribunalit të Hagës për Ish-Jugosllavi, EULEX-it dhe me drejtësinë vendore.
Kosova, edhe pse viktimë, bashkëpunoi me organet e drejtësisë për trajtimin e pretendimeve për krime lufte. Në këto dy vitet e fundit shumë ish-bashkëluftëtarë janë intervistuar nga Dhomat e Specializuara, brenda dhe jashtë vendit.
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Më lejoni të ndaj me ju se të hënën do të udhëtoj për në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar.
Deri sa bashkëluftëtarët e mi dhe unë do të përballemi me dinjitet dhe integritet me drejtësinë ndërkombëtare, ju ftoj që të bashkuar t’i përballojmë sfidat me të cilat po përballet vendi.
Uniteti qytetar, bashkëjetesa ndëretnike, stabiliteti institucional dhe besimi në institucione janë të domosdoshme që Kosova ta jetësojë vizionin që të jetë pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe të ruajë miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ju faleminderit për përkrahjen tuaj!
Zoti e bekoftë Kosovën! HTH