Vendosni fjalën kyçe....

Hulumtimi i Auron Tares merr vëmendje dhe në Parlament


Hulumtimi i Auron Tares për dy shkrimtarët Martin Camaj dhe Ernest Koliqi, duket se ka gjetur hapësirë dhe në Parlament.

Deputeti Artur Roshi i kushtoi disa minuta kohë diskutimit mbi bashkëpunimin e Camajt dhe Koliqit me shërbimet sekrete të vendeve të tjera dhe tha se kjo nuk e ul vlerën e veprave të tyre dhe se nuk e konsideron anti-vlerë këtë bashkëpunim, kur është bërë për të rrëzuar regjimin komunist në vend.

“Lidhur me një diskutim që është përfshirë në opinion në ditët e fundit, se Koliqi dhe Camaj kanë qenë agjentë amerikanë, do shprehesha se kjo nuk ua ul vlerave letrare librave të tyre. Nuk është antivlerë e tyre nëse kanë bashkëpunuar për rrëzimin e regjimit më diktatorial në botë me shtetin më pro-lirisë në botë. Është antivlera jonë që e krijuam dhe e ushqyem atë sistem për 50 vite.

Po ashtu është antivlera jonë që ende nuk heqim nga jeta aktive e qeverisjes dhe e opinionit publik dhe  e opinionbërjes, bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, shumë nga të cilët janë konvertuar të tillë edhe me dhunë e sidomos punonjësit e sigurimit të Shtetit, si vlera më negative, që na sjell e shkuara jonë.”– tha Roshi.

Pak ditë më parë, Auron Tare publikoi një hulumtim për shkrimtarët Martin Camaj e Ernest Koliqi, të cilët sipas dokumenteve të CIA-s amerikane, kanë bashkëpunuar me shërbimet e huaja sekrete.

Një nga tezat e përdorura prej tyre ishte varësia e bashkëpunimi i Enver Hoxhës nga përfaqësuesit jugosllavë, Miladin Popoviç e Dushan Mugosha. E pas publikimit të hulumtimit, menjëherë rrjeti nisi të gumëzhinte nga deklaratat dhe kundërdeklaratat mes studiuesve, e tanimë gjeti hapësirë dhe në Parlament.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *