Vendosni fjalën kyçe....

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Serbi: Rama ishte në bisedime me Vuçiç për ndarjen e Kosovës


Kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Serbi, Sonja Biserko, akuzoi kryeministrin shqiptar Edi Rama se u bë pjesë e idesë serbe për ndarjen e Kosovës.

Ajo theksoi në një intervistë për Syri Tv se Rama ka pasur lidhje të ngushta me Soros dhe ai ka pasur bisedime me Vuçiç për projektin e ndarjes së Kosovës.

Biserko tha se kjo iniciativë u rrëzua nga Gjermania duke ndaluar edhe vazhdimësinë e negociatave për këtë drejtim.

“Besoj se ka pasur bisedime mes Ramës dhe Vuçiç. Rama ka pasur lidhje të ngushta me Soros, e më pas Soros u përfshi në këtë çështje. Pra kë qenë një qarkullim i të gjithë këtyre aktorëve mes Prishtinës dhe Beogradit. Pra po, ai ka pasur rolin e tij dhe e kam dëgjuar gjithashtu edhe nga politikanë shqiptarë, që ishin pjesëmarrës në një panel ku isha edhe unë prezent. Shumë të tjerë e kanë konfirmuar diçka të tillë gjithashtu. Por ai është tërhequr nga kjo iniciativë tashmë, të gjithë janë distancuar nga kjo ide, sepse ajo dështoi.  Megjithatë në një pikë ka qenë shumë reale, por për fat të mirë BE, sidomos Gjermania, e ndaloi këtë marrëveshje dhe vazhdimësinë e negociatave në atë drejtim”-tha Biserko.

E pyetur se çfarë fitonte Rama nga ky projekt ajo tha se kjo pyetje duhej bërë vetë kryeministrit por shtoi se mbase është një dëshirë e tij për tu bërë udhëheqësi shqiptar i rajonit.

Më tej Biserko tha se serbët kërkonin partnerë në Tiranë për këtë projekt dhe ishte hera e parë që i dikush i bashkohej një projekti të tillë.

Mbase këtë pyetje duhet t’ia bësh vetë atij. Mbase dëshira e tij ishte të bëhej udhëheqësi shqiptar i të gjithë rajonit. Nuk e di, edhe vetë seriozisht isha shumë e surprizuar. Ata njerëz kërkojnë për partnerë në Tiranë, dhe nuk mund ta gjenin. Ishte hera e parë që dikush i bashkohej një koncepti të tillë për të cilin unë u zhgënjeva shumë pasi ai të jepte përshtypjen e një udhëheqësi modern, i cili kupton konceptin, vlerat e Bashkimit Evropian. Shpresoj që ky të jetë edhe fundi i një përpjekje për të ndarë Kosovën-tha ajo.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *