Gjermania e ka konsideruar Shqipërinë si një nga nga vendet me rrezikshmëri të lartë të COVID-19, sipas vlerësimeve të institucioneve atje. Ambasada gjermane në Shqipëri u kërkon shtetasve të saj që të shmangin të gjitha udhëtimet që nuk janë të domosdoshme drejt Shqipërisë.
“Paralajmërimi për udhëtime në Shqipëri vlen edhe më tej – pas kthimit në Gjermani vlejnë rregullat e karantinimit .
Nëse këtë verë keni planifikuar një udhëtim nga Gjermania për në Shqipëri, ju lutemi që të merrni në konsideratë sa vijon: Ministria e Jashtme Federale vazhdon të paralajmërojë mbi të gjitha udhëtimet jo të domosdoshme (përfshirë arsye pushimi, pushime në vendlindje, vizita familjare etj.) për në Shqipëri. Kjo vlen deri më 31 gusht 2020. Shqipëria kategorizohet aktualisht nga institucionet kompetente shëndetësore gjermane si rajon me rrezikshmëri për shkat të situatës epidemiologjike të Covid-19.
Nëse vendosni të udhëtoni jashtë vendit, përkundër paralajmërimit për udhëtim, ju lutemi të keni parasysh që ambasadat dhe konsulatat gjermane jashtë vendit mund t’ju ndihmojnë vetëm në një masë të kufizuar gjatë kthimit për në Gjermani, në qoftë se gjatë qëndrimit jashtë vendit vendosen kufizime të reja të udhëtimit dhe/ose masa për kufizime të jetës publike. Ju lutemi të merrni në konsideratë që në Shqipëri nuk garantohet një kujdes shëndetësor sipas standardeve gjermane, ndër të tjera ekzistojnë mundësi të kufizuara të testimit për Covid-19.”– thuhet në një njoftim të ambasadës.
Ndërkohë, në rast kthimi nga Shqipëria për në Gjermani çdo person është i detyruar të kryejë karantinën 14-ditore. Ambasada sugjeron kryerjen e testimeve pas hyrjes në Gjermani, që do të shkurtonte kohën e izolimit.
“Në rast kthimi, karantine 14-ditore: Nëse jeni duke udhëtuar nga Shqipëria për në Gjermani – me rrugë ajrore apo tokësore me autobus ose automjete private – jeni të detyruar që menjëherë pas kthimit të lajmëroni insitucionin kompetent shëndetësor në vendin tuaj të banimit/qëndrimit në Gjermani dhe t’i nënshtroheni një vetë-izolimi/karantine shtëpiake prej 14 ditësh. Detyrimi për karantinë shtëpiake/vetë-izolim vlen për të gjithë nënshtetasit (edhe për ata gjermanë) dhe pavarësisht qëllimit të udhëtimit.
Gjatë kohës së karantinimit në shtëpi ju keni të drejtë të dilni nga banesa vetëm në konsultim dhe me leje të institucionit vendor shëndetësor. Një shkelje e këtij detyrimi mund të ketë për pasojë gjoba të larta. Nëse dhe eventualisht ku është e mundur të bëhet një test për Covid-19 pas hyrjes në Gjermani, i cili do të shkurtonte kohën e izolimit, edhe për këtë mund të informoheni tek institucioni kompetent shëndetësor në vendin tuaj të banimit/qëndrimit. Në dijeninë e Ambasadës Gjermane, në Shqipëri aktualisht nuk ka laboratore, të cilët kryejnë në varësi të dëshirës teste për Covid-19.”– thekson ambasada.