Një biznes në Tiranë ka marrë një gjobë prej 10 milionë lekësh të vjetra, për shkak se ka neglizhuar protokollet e sigurisë për COVID-in dhe në orët e vona të natës ka patur muzikë të lartë. Po ashtu iu sekuestruan të gjitha pajisjet muzikore që përdornin.
Policia ka proceduar penalisht administratorin e lokalit në zonën e Bllokut, për veprën penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”. Një tjetër administrator lokali në të njëjtën zonë, është proceduar penalisht për të njëjtën akuzë, por biznesi ka shpëtuar pa gjobë.
DETAJET E POLICISË
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bazë të ankesave të bëra nga qytetarët për dy subjekte që nuk zbatonin protokollet e sigurisë për parandalimin e përhapjes së COVID-19 dhe vijonin aktivitetin duke prishur rendin dhe qetësinë publike, kanë organizuar punën dhe gjatë inspektimit në zonën e ish-Bllokut, kanë konstatuar dy subjekte (lokale) që nuk respektonin masat e marra për parandalimin e përhapjes së COVID-19 dhe vendosnin muzikë të lartë, tej normave të lejuara.
Në vijim të veprimeve u bë shoqërimi dhe u proceduan penalisht dy administratorët e lokaleve, shtetasit: D. S., 25 vjeç dhe A. P., 20 vjeç.
Për subjektin në administrim të shtetasit D. S. u vendos masë administrative 1.000.000 lekë. Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar pajisjet që përdoreshin për të bërë muzikë në ambientet e këtyre lokaleve. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Tiranës apelon për të gjithë administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.