Studiuesi Ardian Ndreca ishte ndër të parët që reaguan kundër hulumtimit të Auron Tares, mbi bashkëpunimin e dy shkrimtarëve Martin Camaj dhe Ernest Koliqi me shërbimet e huaja të inteligjencës.
Ndreca shkruante: “shkrimi i tij s’kishte asnji fill logjik, nuk kishte as erë arsyeje historike, veç disa dokumente të pakontekstualizueme, e mandej shumë hamendësime që dy rreshta ma poshtë paraqiteshin si të vërteta historike të provueme e ma tej rishtas makinacione dashakeqëse prej sigurimasi.”
E nëse në fillim i konsideronte hamendësime përfundimet në studimin e Tares, tani Ndreca ka pranuar se është e vërtetë se Koliqi dhe Camaj kanë bashkëpunuar me shërbimet e huaja të Inteligjencës.
Por sipas tij, Tare e ka marrë dosjen në mënyrë të paligjshme dhe studimi i tij është bërë pa metodë shkencore e rend logjik, me qëllimin e vetëm për të denigruar figurën e dy shkrimtarëve. Në veçanti atë të Camajt.
“Po, Koliqi e Camaj bashkëpunuan me shërbime. Janë shkruar dhjetra libra për këtë çështje. Ka libra që shpjegojnë puzzle-n e bashkëpunimeve”– thotë Ndreca.
Megjithatë sipas tij, ky lloj bashkëpunimi që Camaj e Koliqi, ka qenë i zakonshëm për intelektualët nga Lindja që donin të rrëzonin regjimet komuniste prej nga vinin.
Ai thekson se dosja është marrë në mënyrë të paligjshme nga Tare, duke ngritur pikëpyetje mbi menaxhimin që i është bërë këtij dokumentacioni.
“Posaçërisht figura e Camajt përpiqej me u denigru në mënyrë më radikale. T’ju sqaroj dhe faksimin e dosjes së tij të sigurimit e cila më rezulton se është marrë në mënyrë të paligjshme prej këtij personi prej autoritetit. Gjë për të cilën ngre një pikëpyetje shumë të fortë, për menaxhimin e këtij dokumentacioni që i është besuar Autoritetit të Dosjeve.”– tha Ndreca në një prononcim për News 24.
Por edhe lidhur me këtë, Auron Tare ka një përgjigje. Ai ka publikuar në rrjetet sociale, lejen që Autoriteti i Dosjeve i ka dhënë atij për të përdorur dokumentet, bazuar në “Ligjin për të Drejtën e Informimit”./Hashtag.al