Një 21 vjeçar është ndaluar duke transportuar 9 shtetas të huaj kundrejt fitimit me qëllim kalimin në vendet e BE-së.
Arrestimi i të riut me iniciale R.M me banim në Kamzë u krye në Elbasan. Nga ky operacion u procedua edhe një 19-vjeçare për moskallëzim krimi.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar i koduar “Mengel”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, kundrejt fitimit.
Kapet duke transportuar 9 shtetas të huaj, kundrejt fitimit 400 – 500 euro për person, arrestohet në flagrancë 21-vjeçari.
Procedohet dhe një shtetase, për veprën penale “Moskallëzim krimi”.
Në kuadër të masave të marra për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të bëra nga strukturat e DVP Elbasan, për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, pas informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas transportonte nga Korça drejt Tiranës, disa shtetas nga vendet e treta, me qëllim dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, organizuan punën duke finalizuar operacionin policor “Mengel”, në kuadër të operacionit, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit:
R.M., 21 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi u kap nga shërbimet e Policisë, në qytetin e Elbasanit, duke transportuar me mjetin e tij, 9 shtetas sirianë, kundrejt fitimit që varionte 400-500 euro për secilin, për të kaluar kufirin me Malin e Zi, në mënyrë të paligjshme, me destinacion final një nga vendet e BE-së
Si dhe u procedua penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Moskallëzim krimi”, shtetasja A. S., 19 vjeçe, banuese në Kamzë, Tiranë.
Materiale hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprimet e mëtejshme.