Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës së kryedemokratit Lulzim Basha i cili deklaroi se i ishte propozuar nga shefi i qeverisë që ai të bëhej kryeministër dhe Rama President.
Rama thotë se me hapjen e listave Bashën nuk e bën dot ai kryeministër por populli që do zgjedhë.
Më tutje Rama thotë se koalicionet nuk ndalohen nga hapja e listave duke i kujtuar Bashës deklaratën e bërë në 2017 nga ai në fushatën zgjedhore ku e quante LSI-në “SHPK”.
“Listat e hapura do fuskan kriminelët në parlament sipas LB e unë dashkam të bëhem President me LB kryeministër, se paskam frikë nga humbja.
Në fakt jo, unë e di popullin më të mençur se veten prandaj dua të hapen listat, e s’e bëj dot Lulin KM se s’jam Populli që e vendos këtë!
Sa për koalicionin me SHPK e LSI siç e quan LB, as e ndalon hapja e listave që ta bëjë, as e detyroj dot unë që ta zhbëjë!
Prandaj Lul merre me qetësi këtë proces ku more gjithë çfarë deshe, e lëri sharjet e kërcënimet, sepse koha e ka treguar që të çojnë vetëm nga humbja në humbje!”-shkruan Rama.