Pavarësisht kundërshtimeve, presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, ka nënshkruar një dekret për ta kthyer katedralen e Shën Sofisë që shërben si një muze, në një xhami.
Më parë gjykata e lartë administrative e Turqisë anuloi statusin muze të zonës kulturore me famë botërore, shkruan BBC.
1.500 vjet më parë Shën Sofia ishte themeluar si katedrale, por osmanët e kthyen në xhami. Më vonë në vitin 1934 u bë muze.
Duke qenë një objekt i Trashëgimisë Botërore, Unesco i kërkoi Turqisë të mos ndryshojë statusin e saj. Islamistët në Turqi prej kohësh kanë kërkuar që muzeu të shndërrohet në një xhami, por anëtarët e opozitës laike e kanë kundërshtuar këtë veprim.
Propozimi ka ngjallur kritika nga liderët fetarë dhe politikë në të gjithë botën. Kreu i Kishës Ortodokse Lindore ka dënuar propozimin, ashtu si dhe Greqia.
Dekreti i Erdoganit i jep kontrollin e xhamisë Ayasofya, siç njihet në gjuhën turke drejtorisë fetare të Turqisë, për ta rihapur atë për adhurim.