Vendosni fjalën kyçe....

Konsumojnë alkool e bëjnë sherr, arrestohet një person në Gramsh e procedohen 5 të tjerë


Një 30-vjeçar është arrestuar, një tjetër është shpallur në kërkim ndërsa 4 persona të tjerë janë proceduar penalisht pas një konflikti të ndodhur në një lokal.

Sipas policisë ata kanë shkelur protokollet e sigurisë dhe pas konsumimit të një sasie alkooli janë konfliktuar.

Fillimisht policia u njoftua për një rast pengmarrjeje por pas hetimeve u zbulua se kjo ishte e pavërtetë. 6 personat pasi kishin konsumuar pije alkoolike ishin përplasur me njëri-tjetrin duke pësuar dëmtime të lehta.

Njoftimi

Në kundërshtim me protokollet e sigurisë dhe nën efektin e pijeve alkoolike, prishën qetësinë publike duke u konfliktuar me njëri-tjetrin, vihet në pranga 30-vjeçari, shpallet në kërkim një 31-vjeçar, si dhe procedohen penalisht edhe 4 personat e tjerë të përfshirë në konflikt.

Ndëshkohet me masë administrative për shkelje të protokollit të sigurisë pronari i lokalit ku ndodhi konflikti.

Shërbimet e Policisë Gramsh, pas marrjes së njoftimit për një konlikt mes disa personave në një lokal dhe se shtetasi që njoftoi Policinë pretendonte se i kishin marrë me forcë në mjet të vëllanë, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ngritën pika kontrolli, me qëllim kapjen e personave që pretendohej se kishin marrë forcërisht 33-vjeçarin.

Nga tërësia e veprimeve hetimore rezultoi se shtetasit A. B. e F. B. kishin konsumuar pije alkoolike në një lokal, bashkë me shtetasit E. B., S. K., A. M. dhe O. D.

Gjatë konsumimit të pijeve alkoolike, në lokalin e shtetasit O. D., këta shtetas janë konfliktuar fizikisht, duke i shkaktuar njëri-tjetrit dëmtime të lehta fizike.

33-vjeçari, shtetasi F. B., i cili u kallëzua nga i vëllai se ishte marrë forcërisht nga dy persona, kishte shkuar në banesë dhe nuk qëndronte pretendimi i vëllait të tij.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit  E. B., 30 vjeç, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” e kryer në bashkëpunim, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

U shpall në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit S. K., 31 vjeç, banues në Gramsh.

Gjithashtu u proceduan penalisht për veprën penale “Prishja e qetësise publike”, edhe shtetasit A. M., 27 vjeç, F. B, 33 vjeç, A. B., 34 vjeç dhe O. D., 30 vjeç.

Ndërkohë pronari i lokalit, shtetasi O. D., në zbatim të Aktit Normativ do të ndëshkohet edhe administrativisht për shkelje të protokolleve të sigurisë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *