Vendosni fjalën kyçe....

Rama nga Durrësi: Ka filluar shpërndarja e dëmshpërblimeve për tërmetin


Kryeministri Edi Rama, së bashku me Ministrin e Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj dhe kryebashkiaken në detyrë Emirjona Sako dhanë lajmin se ka filluar puna për shpërndarjen e granteve për familjet që kanë dëmtime të lehta nga tërmeti i 26 nëntorit.

Rama tha se do shpërndahet një shumë prej 80 milionë dollarë në të gjitha bashkitë e prekura nga tërmeti.

Gjithashtu kreu i qeverisë bëri me dije se ka filluar puna për shtëpitë individuale dhe në fillim të vjeshtës do hapen dyert për banesat e para. Ndërsa për njësitë kolektive ai tha se duhet durim pasi kërkojnë më shumë kohë.

“Kemi filluar intensivisht punën për shpërndarjen e granteve. Çdo ditë është shumë për njerëzit që presin të hynë në shtëpi. Kemi bërë çmos që ta bëjmë sa më mirë dhe sa më shpejt. Janë 25 milionë dollarë do shpërndahen në dorë për të gjitha familjet që kanë të domosdoshme të mbyllin riparimet në ato banesa ku dëmet janë të riparueshme. Kemi miratuar planin e Spitallës. Janë një sërësh godinash të tjera që do të ndërtohen individualisht në pikat ku janë prishur në mënyrë që familjet e dëmtuara të rikthehen në lagjen ku iu ndodhi fatkeqësia. Jemi në fazën ku do fillohet me garat.

Po ecet intensivisht kudo. Është një shumë prej 80 milionë dollarësh që do shkojë si pagesë për qytetarët në Tiranë, në Vorë, në Kavajë, Shijak, Durrës, Kamzë, Krujë, Fushë-Krujë, Kurbin, Mirditë dhe Lezhë.

Ka filluar puna konkrete për shtëpitë individuale. Shumë shpejt do jemi në terren dhe në fillim të vjeshtës do hapen dyert e banesave të reja.

Për banesat kolektive duhet më shumë durim. Ne nga ana jonë nuk po i lëmë asnjë gjë mangut.

E di kryetarja që është proces super i komplikuar. Po qesh sepse më ka mua në vesh pa pushim dhe herë me zë të moderuar dhe herë me volum pak të ngritur për ta çuar procesin përpara. I jam mirënjohës se po bën punë fantastike, është njësoj si të qërosh oriz se ka shumë problem, komplekse, jo pronësia, jo kurora në një familje, regjistrimi, e legalizuar apo e pa legalizuar por nuk do ndalemi. Është një proces që do të na ndihmojë të mbyllim këtë plagë të tmerrshme që hapi 26 nëntori i vitit të shkuar por do sjellë dhe impakt të rëndësishëm në ekonominë tonë që ka nevojë për injeksion, mundësi të reja për punësim e investime.

Kryesorja është çlirimi i financimeve, për faktet konkrete do flasin shumë shpejt, se ne jemi atdheu i Shën Thomait që po nuk prekëm nuk besojmë, ndaj do ju sigurojmë që t’i prekni vetë veprat.”

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *