Studentët ndërkombëtarë që ndjekin studimet në Shtetet e Bashkuara do të duhet të largohen nga vendi ose rrezikojnë dëbimin, nëse universitetet e tyre do e kalojnë të gjithë mësimin online për shkak të koronavirusit.
Kështu ka njoftuar të hënën Zyra për Imigracionin dhe Zbatimin e Doganave. Kjo masë mund të prekë mijëra studentë të huaj që shkojnë në Shtetet e Bashkuara për të ndjekur universitetin ose për të marrë pjesë në programe trajnimi, si dhe studime jo-akademike ose profesionale.
Universitetet në gjithë SHBA-në kanë filluar të marrin vendimin për kalimin e mësimit online për vitin e ardhshëm akademik, si rezultat i pandemisë. Për shembull, në Harvard, të gjitha lëndët do të jepen online. Për këtë arsye, studentët ndërkombëtarë nuk është e nevojshme të qëndrojnë në SHBA, pasi mund ta ndjekin mësimin nga shtëpitë e tyre.
“Ka shumë pasiguri. Është shumë zhgënjyese”– tha Valeria Mendiola, një studente 26 vjeçare e diplomuar në Harvard, citon CNN. “Nëse duhet të kthehem në Meksikë, unë jam në gjendje të kthehem, por shumë studentë ndërkombëtarë thjesht nuk munden.”
Ekziston një përjashtim vetëm për universitetet që përdorin një model hibrid të mësimit, siç është një përzierje e klasave në internet dhe në auditor.