Kreu i LDK-së, Mustafa, është i fundit ndër politikanë shqiptarë që preket nga Covid-19.
Siç raporton Indeksionline, që citon burime të pakonfirmuara, mbrëmjen e djeshme Mustafa ka pasur një përkeqësim të shëndetit, por sot gjendja e tij paraqitet e qëndrueshme.
Ndërkohë nuk flitet ende për një shtrim të tij në Klinikën Infektive të Kosovës. Më herët, i prekur nga Covid-19 në Kosovë ka qenë deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj, i cili ishte i pranishëm në seancën e fundit parlamentare.
Ai ka shkruar në rrjetet sociale se gjendja e tij paraqitet e mirë.
Ndërsa deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli është prekur ditë më parë dhe gjithashtu është në gjendje të mirë.
Asnjëri nga politikanët shqiptarë të prekur nga Covid-19 nuk është shtruar në spital.
Në Maqedoninë e Veriut është konfirmuar me Covid-19, deputeti shqiptar i LSDM-së, Muhamed Zekiri, gjendja e të cilit paraqitet e mirë.
Në Shqipëri, deputeti i vetëm që është prekut nga Covid-19 ka qenë Adriak Alimadhi i opozitës parlamentare. Ai u shtrua në Spitalin Infektiv ndërsa ka kohë që ka dalë i shëruar nga virusi.
Ndër personazhet jashtë politikës që janë prekur nga Covid-19 janë aktori Florian Binaj dhe vëllezërit Budina, të cilët akuzuan ministren Manastirliu e kryeministrin Rama për bërjen publike të testeve të tyre.