Gjermania i ka propozuar zyrtarisht Bashkimit Europian, vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë në lidhje me sulmin e hakerave rusë në Bundestag 5 vjet më parë.
Nëse do të arrihet në dakordësi, plani i cili u rekomandua nga Berlini muajin e kaluar, do të vinte në zbatim sanksionet e para kibernetike të BE-së, shkruan DW.
Qeveria gjermane beson se inteligjenca ruse qëndronte pas një hakimi të rrjetit të vitit 2015, në të cilin llogariteshin 16 gigabajt të dhëna, dokumente dhe posta elektronike nga rrjeti informatik i Bundestagut, përfshirë mijëra e-maile nga zyra e Merkelit në Bundestag.
Në maj, prokurori i përgjithshëm i Gjermanisë lëshoi një urdhër arresti ndaj shtetasit rus Dmitry Badin, i cili “dyshohet fort si përgjegjës” për sulmin dhe i cili është një “anëtar i grupit APT28”, thuhet në përgjigjen e hetimit.
Gjermania gjithashtu beson se një haker nga shërbimi sekret ushtarak rus GRU ishte i përfshirë.
Më 3 qershor 2020, qeveria “vërtetoi propozimet e sanksioneve brenda kornizës së BE-së duke paraqitur një paketë gjithëpërfshirëse të provave bazuar në rezultatet e autoriteteve gjermane hetimore dhe informacioneve të inteligjencës, si dhe burimeve në dispozicion të publikut”.
Por e majta gjermane besoj se nuk ka prova për përfshirje të Rusisë.
“Mund të jetë që shtetasit rusë janë pas ‘hakimit të Bundestagut’ por ndoshta është një e dhënë e rremë për të larguar nga e vërteta. Në çdo rast, deri më sot nuk ka asnjë provë të përfshirjes së qeverisë ruse në sulmin e hakerave.”- tha Andrej Hunko, zëdhënës për politikën evropiane për grupin parlamentar të Partisë së Majtë.
Hunko është kundër propozimit të sanksioneve.
Në vitin 2017, Këshilli Europian zhvilloi një kornizë për një reagim të përbashkët diplomatik të BE-së ndaj aktiviteteve keqdashëse kibernetike, të njohura si “Kutia e BE-së për Diplomacinë Kibernetike”.
Kjo kornizë ligjore ka për qëllim “individë ose grupe, jo shtete”-, theksoi qeveria gjermane në përgjigjen e saj.