Ka ndërruar jetë në moshën 57-vjeçare, gruaja e aktorit John Travolta. Aktorja dhe ish-modelja Kelly Preston vuante nga kanceri i gjirit.
Aktori konfirmoi vdekjen e saj në një postim në Instagram mbrëmjen e së dielës me shkrimin: “Me zemër të thyer ju informoj se gruaja ime e bukur Kelly ka humbur betejën e saj dy-vjeçare me kancerin e gjirit. Ajo luftoi një luftë të guximshme me dashurinë dhe mbështetjen e kaq shumë njerëzve.”
Preston dhe Travolta ishin të martuar prej 29 vjetësh. Ata kanë dy fëmijë, Ella, 20-vjeç dhe Benjamin, nëntë. Një djalë tjetër i tyre, Jett, ndërroi jetë në mënyrë tragjike në vitin 2009, kur ishte vetëm 16-vjeç.
Travolta shkruan: “Do të marr ca kohë për të qenë pranë fëmijëve të mi që kanë humbur nënën e tyre, kështu që më falni paraprakisht nëse nuk dëgjoni prej nesh për një kohë. Por ju lutem, dijeni që unë e ndjej e do të ndiej dashurinë tuaj në javët e muajt ndërsa shërohemi”.
Një zëdhënës i familjes tha për revistën “People”, se Preston kishte ndërruar jetë në mëngjesin e 12 korrikut.