Qeveria e Kosovës e ka bërë të detyrueshme mbajtjen e maskës në publik.
Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të qeverisë ku janë miratuar edhe një sërë masash të tjera për të frenuar përhapjen e pandemisë Covid-19.
Sipas zyrtarit të lartë në policinë e Kosovës, Afrim Ahmeti, qytetarët që nuk respektojnë masat rrezikojnë 2 vjet deri në 12 vjet burg ose 8 mijë euro gjobë.
“Dënimet janë mjaft të mëdha dhe sipas nenit 249 dhe 250 dënimet shkojnë nga 2 vjet deri në 12 vjet burg ndërsa për kundërvajtje sipas Ligjit për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse deri në 8 mijë euro gjobë”, tha ai.
“Vendimi i parë i miratuar në mbledhjen e sotme për ndërmarrjen e masave, me qëllim të parandalimit të përhapjes dhe kontrollit të infeksionit COVID-19 është për obligimin e të gjithë banorëve të Republikës së Kosovës që të bartin maskat për fytyrë në të gjitha aktivitetet jashtë shtëpive/banesave të tyre, si dhe të mbajnë distancë fizike prej 2m në ambiente të përbashkëta jashtë shtëpive/banesave të tyre. Vendimi obligon gjithashtu që të gjitha institucionet publike dhe private të mbajnë dezinfektues për duar dhe maska për fytyrë në vende publike, në hyrje të objektit, të cilat mund të shfrytëzohen nga punëtorët e institucioneve dhe vizitorët.”, thuhet në vendimin e qeverisë.