Vendosni fjalën kyçe....

Ndëshkimet ndaj mediave për masat anti-Covid, Meta i kthen ligjin Kuvendit


Presidenti Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin që ka të bëjë me masat e veçanta administrative të marra nga qeveria gjatë kohëzgjatjes së pandemisë Covid-19.

Në argumentimin e kreut të shtetit theksohet se masat e marra nga qeveria janë joproporcionale, sidomos në rastet e ndëshkimeve ndaj mediave për moszbatimin e masave të vendosura nga qeveria.

“Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin nr. 73/2020 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 20, datë 20.5.2020, të Këshillit të Ministrave, ‘Për disa ndryshime dhe shtesa në aktin normativ nr. 3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, ‘Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19’, të ndryshuar.” – shkruan Meta në dekretin e tij.

Kreu i shtetit thekson gjithashtu se masat ndëshkimore nga ana e qeverisë duhet të mos shkaktojnë pamundësinë e vijimit të verimtarisë së mediave.

“Kufizimi për ruajtjen e një distance prej 2 metrash midis të ftuarve në studiot televizive është një masë e detyrueshme dhe e mirëpritur. Për këtë qëllim qeveria me këtë ndërhyrje është në përmbushje të një nevoje të ligjshme dhe ajo konsiderohet e përshtatshme. Ndërkohë që, përveç rregullit, sanksioni i parashikuar paraqet problematikë të theksuar sepse dukshëm është i vendosur në mënyrë shproporcionale. Vendosja e sanksioneve administrative në rast shkeljeje do të duhej të merrte detyrimisht në konsideratë që thelbi i aktivitetit mediatik të mos cenohet në atë masë sa të shkaktojë pamundësinë e ushtrimit të tij.

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë! Për gjithë sa u parashtrua më sipër, me qëllimin që,

– vendimmarrjet e natyrës rregullatore të propozuara të jenë në të njëjtën frymë solidariteti

dhe ndihmese konkrete në kohët e vështira për shtetasit dhe ekonominë vendase; por

njëkohësisht;

– duke qenë i bindur se detyrimet sociale që mbart shteti për t’u ardhur në ndihmë të gjitha

shtresave të popullsisë, por edhe subjekteve ekonomike, do të vlerësohen nga qeveria dhe

ligjvënësi në formën e duhur; si dhe

– çdo masë kufizuese apo sanksion që vendoset në këtë periudhë pandemia, duhet të mos

cenojë të drejtat dhe liritë kushtetutese,

– në bindje të Kushtetutës dhe në zbatim të nenit 85 pika 1 të saj, kam vendosur,

kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 73/2020 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, 20, datë 20.5.2020, të Këshillit të Ministrave, ‘Për disa ndryshime dhe shtesa në aktin normativ 3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, ‘Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga Covid-19’, të ndryshuar.” – mbyll argumentimin e dekretit të tij, Meta.

Argumentet e plota të ligjit i lexoni Këtu


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *