Vendosni fjalën kyçe....

Opozita parlamentare tërhiqet nga pragu 5%: Të ulet në 2%


Ditën e sotme u mblodh online Komisioni i Ligjeve dhe Këshilli i Legjislacionit, për të diskutuar nen për nen ndryshimet në Kushtetutë që kërkuan një grup deputetësh të opozitës parlamentare për hapjen e listave dhe ndalimin e koalicioneve.

E që në nisje të seancës, grupi i opozitës parlamentare ka bërë një kthim pas, duke dalë me një propozim të ri sa i përket Reformës Zgjedhore duke kërkuar ulje të pragut zgjedhor.

Deputeti Korab Lita, kërkoi uljen e pragut nga 5% që e kërkuan në fillim në 2%, pra duke e ulur me 1% krahasuar me atë që është aktualisht 3%, duke favorizuar akoma më shumë futjen e partive të vogla në Kuvend. 

“Propozoj që në pikën 2 të nenit të parë, të bëhet jo më pak se 5% të votave të vlefshme por 2% të votave të vlefshme. Pragu 5% dhe ndalimi i koalicioneve ngushtojnë hendekun. Pragu 2% e plotëson më së miri nevojën e shfaqur”– tha Lita.

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe kryetari i grupit demokrat, Myslim Murrizi si dhe deputetja Rudina Hajdari.

“E mbështes propozimin e relatorit në emër të opozitës që të ndryshojë pragu. Të merret parasysh që të ndryshohet nga 5% në 2%. Pragu 2% nuk është shumë i ulët, nuk sjell 100 parti në Kuvend”. – tha Murrizi.

Hajdari gjithashtu thotë se ulja e pragut do ishte më e drejtë dhe do të krijonte konkurrueshmëri” tha ajo. 

Ndërkohë, kryetari i grupit të Pavarur, Edmond Stojku tha që edhe pse pragu 2% nuk do ishte keq, duhen “parë kushtet”.

Ndërsa deputetja socialiste Klotilda Ferhati thotë se pragu 2% është shumë i ulët.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *