Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut ka mbajtur sot konferencën e parë për shtyp pas fillimit të tre ditëve të votimit në zgjedhjet e parakohshme në vendin fqinj.
Zëdhënësi i KSHZ-së, Admir Shabani theksoi se të drejtë të votimit e kanë 1 milion e 814 mijë e 263 qytetarë dhe se në këto tre ditë do të votojnë kategori të ndryshme të qytetarëve.
Sot filloi votimi i 706 personave të sëmurë me Covid-19 dhe në vetëizolim, ndërsa nesër votojnë të sëmurët dhe të pafuqishmit, numri i të cilëve është 8.852, personat në 13 institucione ndëshkuese-përmirësuese edhe atë 1.657 dhe gjashtë persona të zhvendosur brenda vendit, shkruan INA.
Në këto zgjedhje janë të akredituar 2.508 vëzhgues vendas dhe 96 vëzhgues të huaj, si dhe 56 përkthyes dhe 55 gazetarë të huaj.