Ekonomia britanike sapo ka nisur rrugën e gjatë të rimëkëmbjes nga kriza e Covid-19 në muajin maj, ndërkohë që aktiviteti filloi të përshpejtohet pas lehtësimit të masave të karantinës.
Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me 1.8% në maj, pas një rënieje rekord prej 20.3% në prill, që ishte dhe muaji i parë i plotë i karantinës në Britani.
Në periudhën tremujore deri në maj, zyra e Statistikave në Londër tregoi se ekonomia u tkurr me 19.1% dhe krahasuar me një vit më parë, ishte 24% më e vogël.
“Rimëkëmbja e prodhimit në maj reflekton rimëkëmbjen e pjesshme të kërkesës prej heqjes së karantinës dhe jo prova të rifuqizimit ekonomik”, deklaroi Dhoma Britanike e Tregtisë.
Rimëkëmbja e dobët u nxit nga një rritje prej 0.9% në sektorin e madh të shërbimeve, ndërkohë që kishte shenja të dobësisë në shërbimet profesionale, pronat tregtare dhe programimin kompjuterik. Mbi 44,000 njerëz në Britani kanë vdekur nga koronavirusi, që është shifra më e lartë në Europë.
Qeveria britanike mbylli të gjithë dyqanet dhe bizneset jo të nevojshme më 23 Mars, pak pasi urdhëroi mbylljen e bareve,restoranteve dhe kinemave. Në maj kishte një zbutje të limituar të rregullave të karantinës dhe më shumë biznese u përshtatën për të operuar në karantinë.