Vendosni fjalën kyçe....

Lleshaj-Metës: Duhet fantazi e madhe të lidhësh zgjatjen e vetingut në polici me zgjedhjet


Pasi Komisioni i Sigurisë rrëzoi dekretin e presidentit Meta për vetingun në polici, Gardë e SHÇBA, ministri i Brendshëm, Lleshaj, i është përgjigjur kreut të shtetit duke paraqitur argumentet e tij.

Meta e kishte kthyer ligjin në Kuvend me pretendimin se favorizonte drejtuesit dhe ishte i varur nga politika.

Lleshaj, që mori pjesë në mbledhjen virtuale të komisionit tha ndër të tjera se zgjatja e afatit të vetingut në polici nuk ka të bëjë aspak me zgjedhjet e ardhshme dhe për të bërë një lidhje të këtillë duhej fantazi e jashtëzakonshme.

“Presidenti ka goditur thelbin dhe frymën e ligjit për arsye se ai e konsideron Vetingun si instrument presioni. Në fakt “si një forcë ndëshkuese e mekanizmit të vlerësimit kalimtar” pra vetingu, e citova këtë nga dokumenti i ardhur nga Presidenti, pra e konsideron një forcë ndëshkuese. Tani kemi një problem thelbësor këtu, dhe problemi është ky, vetingu në Policinë e Shtetit nuk është ndonjë gjë e re. Në fakt edhe ligji flet për vlerësimin kalimtar, por edhe periodik të punonjësve të PSH, të Gardës, apo të SHÇBA-së, për arsye se këto struktura ligjzbatuese në Shqipëri dhe në çdo vend të botës, duhet që të jenë përherë në një proces verifikimi, në një proces Vetingu nëqoftëse do. Nëqoftëse duam ta konsiderojmë presion, le ta konsiderojmë presion. Është një instrument presioni pozitiv ndaj kujtdo të merr përsipër të shërbejë në strukturat ligjzbatuese. Në Shqipëri dhe në çdo vend normal të këtij planeti. Çdokush që shërben në këto struktura e ka pranuar vetë do t’i nënshtrohet një verifikimi të përhershëm. Do të jetë përherë në një proces verifikimi, për arsye se risku i kompromentimit të një personi të caktuar gjatë karrierës është prezent.” – tha Lleshaj.

Sipas Lleshajt, vetingu është proces që vijon jo vetëm në polici por edhe në struktura të tjera ligjzbatuese.

Ai tha se vetingu në polici ishte i ngjashëm me atë në drejtësi ndërsa shprehu keqardhjen që presidenti sipas tij, e ka lidhur atë me zgjedhjet e ardhshme.

“Pra, Vetingu është një proces i përhershëm, jeta në Polici dhe në Gardë dhe në shumë struktura ligjzbatuese është në një proces Vetingu të pafund, të përhershëm dhe këtu nuk ka asgjë të re. E kundërta do të ishte sinjali i gabuar, nëse themi ne e bëjmë Vetingun një herë dhe pastaj imunizohemi prej tij dhe nuk kemi më asnjë kontroll, asnjë proces verifikimi në jetë. Jo, është një proces i vazhdueshëm dhe ligji i bërë që në 2018 e ka këtë frymë flet për vlerësim periodik. Dhe nëqoftëse flasim për një vlerësim periodik atëherë automatikisht duhet të heqim dorë nga konkluzioni i nxituar, do të thosha shumë i nxituar, për ta konsideruar këtë instrument si një instrument presioni. Nëqoftëse do ta konsiderojmë instrument presioni, pra një instrument të dëmshëm ndaj Policisë, atëherë e njëjta logjikë do të vlente edhe për gjyqësorin. Le ta konsiderojmë edhe këtë një instrument presioni për gjyqësorin dhe të heqim dorë prej tij, se po i bëjmë dëm sistemit. Në fakt përmes këtij instrumenti ‘presioni’ ne besojmë që i është bërë mirë sistemit gjyqësor dhe po i bën mirë, dhe do të t’i bëjë mirë sistemit tjetër që mbështet gjyqësorin që është sistemi i agjencive ligjzbatuese, ku Policia e Shtetit ka një rol të madh dhe ky ka qenë edhe intencioni fillestar kur ka nisur procesi. Meqënëse Policia dhe sistemi i drejtësisë, Prokuroria punojnë së bashku në hetimin penal dhe në luftën ndaj krimit, do të plotësojnë të njëjtat standarde sa i përket kritereve të integritetit të personelit që përfshihet në këto struktura. Është për të ardhur keq që Presidenti ka shquar edhe disa nuanca elektorale tek ligji i miratuar. Është shqetësuese në fakt se Presidenti shquan nuanca elektorale. Këtu duhet vërtet fantazi e tepruar, e jashtëzakonshme për të parë ndonjë lidhje midis zgjatjes së afatit ose vënies në funksion të procesit të Vetingut në Polici me zgjedhjet elektorale. Kjo është diçka që del jashtë fuqive përfytyruese tona dhe i mbetet Presidentit, që të thotë se ku i sheh ai rreziqet elektorale nga Vetingu në polici.” – shtoi Lleshaj.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *