Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria franceze rrit rrogat për mjekët dhe infermierët pas protestave të personelit shëndetësor


U konsideruan si heronj dhe do të vlerësohen si të tillë. Qeveria franceze njoftoi se do të rrisë pagat e punonjësve të shëndetësisë, duke akorduar një fond të paprecedentë prej 8 miliardë eurosh. Ujdia u nënshkrua me sindikatat tregtare të hënën, pas 7 javësh negociata.

Vlerësimet e vazhdueshme publike nuk kanë munguar ndaj atyre që luftuan në vijën e parë të betejës kundër Covid-19, por punonjësit e shëndetësisë kërkuan me shumë dhe mbajtën protesta për të përfituar rritje pagash dhe financime më të mira për spitalet.

Pas një hezitimi fillestar, qeveria pranoi të rrisë pagat për infermierët, mjekët dhe stafin joshëndetësor të spitaleve mesatarisht me 183 euro në muaj. Marrëveshja e pranuar nga sindikatat, u cilësua si një moment historik i sistemit shëndetësor nga kryeministri francez, Jean Castex.

“Ky është një moment historik për sistemin tonë të shëndetësisë. Shteti ka akorduar një buxhet prej më shumë se 8 miliardë eurosh nga i cili do të përfitojë i gjithë personeli”, u shpreh Jean Castex, kryeministri i Francës.

Vendimi për rritjen e pagave vjen një ditë para Ditës së Bastijës, festa kombëtare gjatë së cilës nuk do të mungojnë homazhet për përpjekjet e punonjësve të shëndetësisë gjatë pandemisë. Aktivitetet këtë vit do të jenë më pak pompoze se zakonisht, ndërsa kufizimet për frenimin e koronavirusit vazhdojnë të mbeten në fuqi. Një paradë do të zhvillohet para “Place de Laconcorde” në Paris, ku rreth 1400 infermiere, mjekë dhe punonjës të shëndetësisë, do të jenë të ftuar nderi. Nuk do të mungojë as spektakli i fishekzjarrëve në kullën Eiffel.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *