Vendosni fjalën kyçe....

Shqipëria fiton arbitrazhin për 3 vendburimet e naftës, kompania duhet të paguajë 15 milionë dollarë


Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit të ICC me qendër në Paris ka dhënë një vendim përfundimtar në favor të shtetit shqiptar në përballjen me kompaninë koncesionare GBC OIL Company LTD.

Kujtojmë se kjo kompani, kërkonte dëmshpërblim dhe fitim të munguar nga shteti shqiptar në vlerën e 113,372,000 dollarëve, për prishjen e marrëveshjeve që kjo shoqëri kishte me Albpetrol për 3 vendburimet e naftës: Gorisht – Kocul; Cakran-Mollaj dhe Ballsh-Hekal.

Gjykata e Arbitrazhit në vendimin final të së enjtes, i ka refuzuar pretendimet e GBC Oil & Gas, duke i konsideruar kështu veprimet e ndjekura nga Albpetrol dhe Ministria e Energjisë dhe Industrisë të drejta për prishjen e marrëveshjeve hidrokarbure për këto tre vendburime.

Nga ana tjetër, AKBN dhe MIE do të duhet ta kompesojnë shoqërinë për efektet negative të rentës minerare për një vlerë prej 12.5 milion dollarë, citon gazeta Tema. Këto janë para të cilat kompania ja ka derdhur shtetit shqiptar gjatë viteve 2008-2016 përmes administratës tatimore si rentë minerare.

Pavarësisht kësaj, paralelisht GBC Oil & Gas i detyrohet kompanisë shtetërore Albpetrol një shumë prej 27 milion USD si borxhe të papaguara, fakt i cili qëndronte në thelbin e shkaqeve që detyruan shtetin shqiptar të prishte marrëveshjet hidrokarbure me kompaninë dhe që u konstatua veprim i drejtë nga arbitrazhi.

Për shumën 27 milion dollarë, Albpetrol ka në fuqi prej kohësh edhe titujt ekzekutiv. Kostot administrative të arbitrazhit janë ndarë mes palëve ku 60% e paguan koncesionari dhe 40% pala shqiptare. Në konkluzion edhe të procesit të arbitrazhit, tashmë GBC Oil and Gas do të duhet të derdhë në arkën e shtetit shqiptar një shumë prej 15 milion dollarë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *