Vendosni fjalën kyçe....

Ali Ahmeti: Kryeministri shqiptar ‘është në interesat e Maqedonisë së Veriut’


Përpara zgjedhjeve që priten të jenë një garë e fortë, kreu i partisë më të madhe etnike shqiptare në Maqedoninë e Veriut tha se emërimi i një kryeministri shqiptar do të dërgonte një mesazh pozitiv për vendin.

Nga Fatjona Mejdini

Muret e korridorit që të çojnë në zyrën e Ali Ahmetit në fshatin Reçicë e Vogël në komunën e Tetovës, në pjesën perëndimore të Maqedonisë së Veriut, janë të veshura me portrete të mëdha luftëtarësh të vdekur për kauzën.

Ahmeti, udhëheqësi veteran i Bashkimit Demokratik për Integrim, BDI, partia më e madhe etnike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, shihet gjerësisht si negociatori më i efektshëm i komunitetit shqiptar.

Në një intervistë për BIRN, Ahmeti duket i sigurt se në zgjedhjet parlamentare të 15 korrikut, BDI do të ruajë pozicionin e saj si partia më e madhe shqiptare në vend — dhe se drejtuesit e dy partive kryesore do të duhet të negociojnë me të për të formimin e një qeverie të re.

“BDI është një pasuri kombëtare … është shumë e vështirë për çdo qeveri në Maqedoninë e Veriut të jetë e qëndrueshme pa bashkuar forcat me partinë më të madhe shqiptare. Në të kaluarën, ata [partitë etnike maqedonase] e kanë bërë këtë gabim dhe e kanë nxjerrë mësimin”, tha ai.

Ahmeti thotë se nuk dëshiron të flasë për numrat dhe llogaritjet politike, por është më i interesuar të flasë për parimet. I qetë, me një zë të ulët dhe duke ndezur cigaret njëra pas tjetrës, ai e paraqet BDI-në si një faktor me rëndësi kyçe në formimin e qeverisë së re, duke e përshkruar këtë “fakt” pa emocion.

Ahmeti ka qenë vetë luftëtar dhe komandant — kjo shpjegon portretet e luftëtarëve të vdekur të vendosura në korridor. Ai shërbeu si në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, e cila luftoi për pavarësinë e Kosovës nga Serbia, dhe më pas në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare, UÇK, e cila luftoi për të drejtat e shqiptarëve etnikë në Maqedoninë e Veriut në një kryengritje në vitin 2001.

“Ndihem i vetmuar pa ata; këto portrete janë një shoqëri e mirë,” rrëfen ai, duke paraqitur një biografi të shkurtër të secilit prej burrave në mure dhe duke shpjeguar pse, ku dhe kur vdiqën.

Konflikti në Maqedoninë e Veriut dhe më pas Marrëveshja e Paqes e Ohrit e vitit 2001, e ndërmjetësuar nga bashkësia ndërkombëtare, i hapën rrugën Ali Ahmetit që të fillojë një karrierë politike.

Ali Ahmeti, në koridorin që të çon në zyrën e tij

Komandanti dhe udhëheqësi politik i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare themeloi një parti politike, BDI, në qershor 2002, e ngritur për të garantuar zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, e cila u dha shqiptarëve — të cilët përbëjnë rreth një të katërtën e popullsisë së Maqedonisë së Veriut — më shumë të drejtat politike dhe kulturore.

Në zgjedhjet e mbajtura në shtator 2002, BDI fitoi 16 vende në parlament dhe hyri në një qeveri koalicioni si partnere e re e Partisë Social Demokrate, LSDM, e udhëhequr në atë kohë nga Branko Cervenkovski, e cila qëndroi në pushtet deri më 2006.

Që nga ajo kohë, përveç 17 muajve në opozitë gjatë viteve 2006 dhe 2008, BDI ka qenë partnere në çdo qeveri në Maqedoninë e Veriut, përfshirë me partinë e krahut të djathtë VMRO-DPMNE, duke e konsoliduar pozicionin e saj si partia më e madhe shqiptare dhe e treta më e madhe në vend.

Ky konsolidim, përvoja e fituar në lundrimin e ujërave të politikës dhe gara e ngushtë midis forcave kryesore politike në Maqedoninë e Veriut i dhanë BDI-së rolin e kingmaker-it.

Këtë herë, BDI po kërkon një kryeministër etnik shqiptar si çmimin e bashkëpunimit të saj, duke e nominuar ish-politikanin Naser Zyberi si kandidatin e tyre.

Njoftimi, i bërë më 5 qershor 2020, kur BDI festoi 18 vjetorin e formimit të saj, krijoi një tronditje në skenën politike në Maqedoninë e Veriut, por Ahmeti thotë se nuk ka vend për panik apo skepticizëm.

“Kjo nuk është një ide e re, pasi e njoftuam këtë qëllim strategjik në vitin 2009. Që atëherë, ne kemi sqaruar që duam të marrim postet më të larta në vend dhe gjithashtu të dërgojmë mesazhin se ne nuk jemi irredentistë”, tha ai. “Ne jemi të interesuar për një shtet të begatë multietnik në Maqedoninë e Veriut, dhe shqiptarët janë plotësisht të aftë ta udhëheqin këtë vend”.

Sipas Ahmetit, historia politike e partisë ka treguar se asgjë nuk është tabu dhe se një kryeministër etnik shqiptar nuk duhet të jetë gjithashtu tabu.

“Ata ishin skeptikë në vitin 2008 kur shqiptarët u përfaqësuan në qeverinë maqedonase me një ministër të mbrojtjes; në vitin 2015, kur përfaqësuesi ynë [BDI] kryesoi Ministrinë e Brendshme; dhe në vitin 2017, kur Talat Xhaferi u bë shqiptari i parë që kryesoi parlamentin maqedonas”, kujton ai.

Pas zgjedhjeve të fundit, në dhjetor 2016, 10 mandatet e deputetëve të BDI-së marrin një rëndësi të madhe për liderin e Social Demokratëve, Zoran Zaev. Pasi koalicioni i udhëhequr nga LSDM fitoi 49 mandate dhe koalicioni rival i udhëhequr nga VMRO fitoi 51, Social Demokratët formuan qeverinë në maj 2017. Kjo u bë e mundur vetëm pasi Zaev bëri lëshime të rëndësishme ndaj dy partive shqiptare, BDI-së me 10 deputetë, dhe Aleancës për Shqiptarët, me tre deputetë, të cilët i bashkuan votat me të.

Pak kohë më parë, në prill 2017, Talat Xhaferi i BDI-së u zgjodh kryetari i ri i parlamentit, pozita më e lartë që kishte fituar ndonjëherë një shqiptar etnik në shtetin maqedonas.

Pasi formoi qeverinë në maj të atij viti, Zaev projektoi miratimin e një ligji që shtrinte përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në të gjithë vendin. Miratimi i saj ishte një kusht që partitë shqiptare të mundësonin formimin e qeverisë së re.

Ahmeti nxjerr në pah shembullin pozitiv që sipas tij Xhaferi e ka dhënë gjatë drejtimit të parlamentit. Ai argumenton se koha favorizon idenë e një kryeministri shqiptar, pasi të dy blloqet kryesore kanë divergjenca të mëdha. “Një kryeministër shqiptar mund të jetë një zgjidhje shumë e mirë për të barazuar këto divergjenca, siç ka bërë kryetari i parlamentit për katër vjet rresht,” tha ai.

Ai tha se një kryeministër i tillë gjithashtu do të siguronte vazhdimësinë e zbatimit të Marrëveshjes historike të Prespës me Greqinë, të arritur nga Zaev, marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe sigurisht ligjit që e bën shqipen gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.

Ahmeti tha se ata janë të hapur për të folur për këtë ide me dy partitë kryesore, Social Demokratët dhe VMRO DPMNE, dhe se mezi presin të dëgjojnë argumentet e tyre për të patur ose jo një kryeministër shqiptar.

“Ky do të jetë një lajm shumë i mirë për rajonin si dhe bashkësinë ndërkombëtare. Kjo ofertë është në interesin më të mirë të Maqedonisë së Veriut”, përfundoi ai.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Medium.com


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *