Vendosni fjalën kyçe....

Basha në takimin me Metën: Ndryshimet e njëanshme të Kushtetutës, të papranueshme për opozitën


Partia Demokratike ka zbardhur diskutimin mes presidentit Meta e kreut të selisë blu, në takimin e zhvilluar sot në Presidencë me ftesën e kreut të shtetit. Sipas selisë blu, kryedemokrati ka ndarë me Metën 3 shqetësime.

I pari ka të bëjë me situatën e pandemisë dhe atë ekonomike në vend. Basha ka theksuar se qeveria po përpiqet t’ua lërë qytetarëve rritjen e numrit të të prekurve edhe pse në fakt është dështimi i saj.

“Shqetësimi kryesor është gjendja në vend. Pandemia dhe kriza ekonomike po thellohen me shpejtësi. Shifrat e ditëve të fundit kanë arritur deri në 30-fishin e infeksioneve në Itali dhe ka një përpjekje të qeverisë për t’u fshehur dhe për t’ia lënë këtë faturë qytetarëve. Të gjithë e dimë që dështimi më i madh është kthimi i spitaleve në qendra të infeksionit. Dua të ripërsëris edhe një herë shqetësimin tim të thellë, si kryetar i opozitës për këtë gjendje jashtë kontrolli të pandemisë, dhe të vlerësoj apelet tuaja, duke i bashkëngjitur dhe apelet e mia. Natyrisht, qytetarët po bëjnë maksimumin në këtë kushte, por duket se detyra kryesore që u takon institucioneve nuk është kryer dhe nuk po kryhet. Ndaj kërkoj nga ju, si kreu i shtetit të ushtroni presionin maksimal që qeveria të mos fshihet, por të kryejë detyrën e saj sa i takon pandemisë. Jam, po kështu, shumë i shqetësuar për krizën e thellë ekonomike, e cila tani po kap dimensione të panjohura për Shqipërinë në këto 23 vitet e fundit.” – ka thënë Basha.

Më tej, kreu i PD-së ka thënë se qeveria po thyen dy akte të paprecedenta. Bëhet fjalë për marrëveshjen e 5 qershorit mes palëve politike për zgjedhje të lira e të ndershme si dhe për ndryshimet e njëanshme kushtetuese. Kryedemokrati ka theksuar gjatë takimit se marrëveshja e arritur është e duhura.

“Së pari, po thyen me vetëdije të plotë një marrëveshje të negociuar me ndërmjetësimin e SHBA, BE dhe Britanisë Madhe. Një marrëveshje e cila solli normalizimin e klimës politike në vend për t’i hapur rrugë zgjedhjeve me një klimë sadopak normale. Siç ua kam shprehur, ne nuk kemi asnjë iluzion se marrëveshja e 5 qershorit plotëson kriteret për zgjedhje të lira e të ndershme. Ne e dimë, edhe nga përvoja e vitit 2017-të dhe përvojat e mëparshme, se problemi nuk ka qenë ligji, por zbatimi i ligjit Nga kjo ka buruar edhe kërkesa jonë e pandryshuar për një qeveri kujdestare për zgjedhjet. Por po kështu, në respekt të investimit të aleatëve tanë, ne vendosëm të mos e kushtëzojmë marrëveshjen e 5 Qershorit me këtë kërkesë konstante të opozitës jo për veten tonë por për qytetarët shqiptarë, dhe arritëm në një marrëveshje që u përshëndet nga Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, nga Përfaqësuesi i lartë i Politikës së Jashtme, Josep Borell dhe nga Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi. Koha ishte esenciale për miratimin e kësaj marrëveshje, në mënyrë që të kemi KQZ e re sa më shpejt dhe t’i hapet rrugë procesit biometrik. Kjo nuk ka ndodhur. Në të kundërt, ajo që ka ndodhur, fillimisht duke u fshehur pas një numri deputetësh të të ashtuquajturës opozitë parlamentare dhe, së fundmi duke dalë hapur, kryeministri ka vendosur ta hedhë në kosh këtë marrëveshje dhe të ndryshojë në mënyrë të njëanshme Kushtetutën.” – shtoi kryedemokrati.

Basha ka thënë gjithashtu se vendi rrezikon një izolim të dytë për sa i përket çeljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Ai ka sjellë i referencë deklaratën e djeshme të Bundestagut gjerman dhe atë të Komisionerit për Zgjerimin. Ndërsa Shqipëria tashmë e ka përjetuar izolimin e parë që është për shkak të pandemisë së keqmenaxhuar.

“Të gjithë i pamë pasojat e rënda të një hapi të tillë, nëse hidhet, sa i përket integrimit europian të vendit. Bundestagu gjerman, që është autoriteti, i cili hap ose nuk hap dritën jeshile për negociatat, u shpreh fare qartë dje. Po kështu, është shprehur edhe Komisioneri për Zgjerimin. Pra, rrezikojmë një izolim të dytë të Shqipërisë. Po them të dytë, sepse izolimi i parë po na ndodh. Për shkak të keqmenaxhimit të pandemisë vendi vazhdon të mbetet në listën e kuqe të Bashkimit Europian, duke i izoluar shqiptarët për herë të dytë në këto 30 vite. Por ky izolim do të jetë permanent, nëse Shqipëria mbahet peng nga një papërgjegjshmëri e tillë, që hedh poshtë një marrëveshje të negociuar me ndihmën dhe mbështetjen e partnerëve tanë strategjikë dhe që i hap rrugë një procesi normal për zgjedhjet.” – ka thënë Basha.

Kreu i PD-së ka theksuar se Shqipëria është vendi i dytë në Europë që rrezikon të bëjë ndryshimet kushtetuese në kohë pandemie, pas Rusisë dhe kjo është gjë e papranueshme. Basha ka thënë se opozita do bëjë gjithçka që faturën e rëndë të mos e paguajnë qytetarët por përgjegjësit e situatës.

Së treti, ia vlen të ritheksoj para jush se, nëse këto ndryshime ndodhin, do të bëhemi vendi i dytë në botë dhe i pari në Europë, i dyti pas Rusisë ku Kushtetuta ndryshohet në kohë pandemie, jo për interesat e qytetarëve, por për interesat e pushtetarëve. Natyrisht, për PD dhe për Opozitën e Bashkuar, kjo është e papranueshme. Në këtë kuadër, do të bëjmë gjithçka që faturën, e cila do të jetë shumë e rëndë, të mos e paguajë Shqipëria dhe shqiptarët, por ta paguajnë ata që janë përgjegjësit e kësaj situate. Por shpresoj dhe besoj akoma, se do të ketë njerëz, burra dhe gra të arsyeshëm, që do të dëgjojnë thirrjet e miqve tanë, partnerëve tanë dhe jo thirrjet e atyre që kanë tmerr nga zgjedhjet e lira e të ndershme dhe po investojnë gjithçka kundër tyre.” – mbyllet deklarata e Bashës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *